Zgjidhje mes dy ofertave për qeverinë e re

Vikend me jo pak punë kanë paralajmëruar të premten në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe në Lidhjen demokratike (LDK). Zyrtarë të këtyre subjekteve politike kanë thënë se në dy ditët e fundit të kësaj jave do të bëhet e pamundura për të gjetur një marrëveshje për bashkëqeverisje, premtim që e kishin dhënë edhe përpara zgjedhjeve të 6 tetorit.

Albulena Haxhiu dhe Vjosa Osmani, të dyja pjesë e ekipeve që kanë zhvilluar negociatat, kanë shprehur gatishmëri edhe për lëvizje prej ofertave të fundit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Haxhiu, të cilën mandatari për ta formuar Qeverinë, Albin Kurti, e ka propozuar për ministre të Drejtësisë, ka thënë se LVV-ja, parti së cilës i takon, është shumë e interesuar që sa më parë palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve.

Reklama e sponzorizuar

“Si fillim ky është çelësi, e më pas do të bëjmë përpjekje të mëdha që të gjendet konsensusi”, i ka thënë gazetës Haxhiu. “Kemi pasur komunikime, por sigurisht duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Çfarëdo varianti tjetër do të ishte veprim i gabuar. Në këtë drejtim besoj që do të ketë takime së shpejti, për të definuar dhe qartësuar këtë proces e përpjekje”.

Osmani, e cila ka qenë kandidate e LDK-së për kryeministre, ka theksuar se vikendi do ta sqarojë përfundimisht epilogun.