Kryeshefi i INFRAKOS-it: Për marrëveshjen për hekurudhat mësuam nga mediat – na gjeti të papërgatitur

Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv i INFRAKOS-it, ka thënë se marrëveshja për hekurudhat mes Kosovës dhe Serbisë i ka gjetur të papërgatitur.

“Neve na ka zënë të papërgatitur. I takon Qeverisë që të bëjë grupet punese. Pastaj ne mund ta ofrojmë ekspertizën tonë në mënyrë që ajo të ketë sukses në praktikë”, ka thënë Thaçi për televizionin publik.

Reklama e sponzorizuar

“Ne nuk kemi pasur ndonjë njoftim. Edhe ne jemi njoftuar nga mediat”, deklaroi ai.

I dërguar special i presidentit amerikan, Donald Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në një bisedë telefonike për gazetën “Koha Ditore”, ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja në parim për hapjen e transportit hekurudhor ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Gjatë bisedës me një grup të vogël gazetarësh, Grenell ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë dhe asaj në Beograd sot, ka marrë pajtimin e të dy palëve për një hap të tillë. Marrëveshja është në parim, ndaj sipas tij nga e hëna pritet të negociohen detajet.

Për “Kohën Ditore”, ai ka thënë se për një marrëveshje të tillë pëlqimin e ka marrë edhe nga qeveria aktuale, por edhe nga liderët e partive që po negociojnë mundësinë e koalicionit qeverisës.