ZRRE arsyeton ndërprerjet e energjisë elektrike për Vitin e Ri

Në natën e ndërrimit të moteve, në disa qytete të Kosovës ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë nga KEDS-i.

Qytetet të cilat mbetën në terr natën e Vitit të Ri ishin: Gjakova, Fushë Kosova, Ferizaj, Malisheva si dhe disa rajone tjera, përcjell Buletini Ekonomik.

Për këto ndërprerje të energjisë elektrike, Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë elektrike në Kosovë (ZRRE), të cilët këtë problem e kanë arsyetuar me mbingarkesa, e të cilat sipas tyre janë shkaktuar nga konsumi i madh.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, KEDS-i është detyruar që ta kufizojë furnizimin në ato pjesë ku ngarkesa ka qenë përtej normave të lejuara, për t’i mbrojtur nga dëmtimi stabilimentet furnizuese.

“Zyra e Rregullatorit për energji ka qenë e informuar për masat e marra nga të licencuarit për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike. Në natën e vitit të ri për shkak të mbingarkesave të shkaktuara për shkak të konsumit të madh KEDS ka qenë i detyruar që të kufizoj furnizimin në ato pjesë ku ngarkesa ka qenë përtej normave të lejuara për të mbrojtur nga dëmtimi stabilimentet furnizuese”, thuhet në përgjigjet e zyrtarit nga ZRRE-ja, Petrit Pepaj.

“Në disa zona për shkak të mbingarkesave ka pasur edhe prishje të stabilimenteve elektrike ku si pasojë e tyre një numër i konsiderueshëm i konsumatorëve kanë mbet pa energji elektrike në Komunën e Gjakovës, Fushë Kosovës, Ferizajt, Malishevës dhe ndonjë rajoni tjetër të vogël”, vazhdojnë tutje përgjigjet e tyre.

Pra, sipas Pepajt në zonat e cekura më lartë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike natën e ndërrimit të moteve si pasojë e prishjeve të stabilimenteve elektrike dhe mbingarkesave.

ZRRE-ja ka theksuar tutje se asnjë ndërprerje e energjisë elektrike nuk ka qenë e planifikuar dhe nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së prodhimit vendor apo importit, por që ndërprerjet e paplanifikuara janë ndikuar kryesisht nga kushtet e motit, mbingarkesat e rrjetit në zona të caktuara, prishjet në rrjetin elektrik dhe stabilimenteve përcjellëse, e të cilat sipas tyre nuk mund të parashikohen nga KEDS-i.

“Duhet të theksojmë se ndërprerjet e paplanifikuara, ndikohen kryesisht nga kushtet e motit, mbingarkesa e rrjetit në zona të caktuara, prishjet në rrjetin elektrik dhe stabilimenteve përcjellëse e të cilat nuk mund të parashikohen nga Operatorët e Sistemit të Transmetimit dhe Shpërndarjes”, shpjegon tutje zyrtari nga ZRRE-ja.

Ngarkesa maksimale e energjisë elektrike gjatë natës së Vitit të Ri, siç u deklaruan nga ZRRE-ja, ka arritur në 1255 MW, që është më e madhja ndër vite dhe që tregon se furnizimi në përgjithësi ka qenë i mirë, me gjithë pengesat në disa rajone. Gjatë gjithë kohës janë prodhuar në vend prej 810 – 860 MWh/h dhe importuar prej 50 – 350 MWh/h.

Ndërkohë, ZRRE-ja është në pritje të një raportit përfundimtar nga palët, në këtë rast nga KEDS-i.

E në lidhje me masat që do t’i ndërmerr, Zyra e Rregullatorit për Energji tha se do të ndërmerrë të gjitha masat që parashihen me legjislacionin në Fuqi në rast të paraqitjes së ndonjë shkeljeje lidhur me furnizimin me energji elektrike.

Buletini Ekonomik gjithashtu ka kërkuar sqarime edhe nga KEDS-i në lidhje me arsyet e ndërprerjeve të energjisë elektrike natën e 31 dhjetorit, mirëpo deri në publikimin e këtij shkrimi ata nuk kanë japur ndonjë shpjegim.

Ndryshe, ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur edhe ditëve para natës së Vitit të Ri dhe në ditët e para të 2020-ës. /Buletini Ekonomik/