ZRRE e konfirmon se KEDS-i i detyroi kundërligjshëm bizneset t’i blejnë trafot

Prej privatizimit të Distribucionit të Energjisë në vitin 2012-të, bizneset kosovare i kanë paguar shuma të majme kompanisë turke KEDS për kyçje në rrjetin elektrik. Varësisht prej kapacitetit, bizneset kanë paguar deri në 50 mijë euro vetëm për t’u kyçur në rrjet.

Veç kësaj, në disa raste bizneset u detyruan të paguajnë edhe për trafon, ani pse sipas rregulloreve në fuqi kjo është përgjegjësi e KEDS-it.

Këtë e konfirmon edhe Zyra e Regullatorit të Energjisë (ZRRE) në një raport të monitorimit të cilin e ka siguruar Buletini Ekonomik, pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

Reklama e sponzorizuar

“Ndërsa për aplikuesit për kyçje që nuk janë për objekte banesore, KEDS në Pëlqimet Elektroenergjetike në disa raste ka kërkuar edhe pagesën e grupit matës ose edhe vendosjen e grup matësit nga vet aplikuesi, e që kjo është në kundërshtim me nenin 54 të Ligjit për Energjinë Elektrike, në të cilën theksohet se: “Pajisjet matëse për matjen e energjisë elektrike janë pronë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, siç përcaktohet në Ligjin për Energjinë”, thuhet në raportin “Ofrimi i Shërbimeve për Konsumatorë nga KEDS dhe KESCO për periudhën Janar-Dhjetor 2018”.


Buletini Ekonomik ka siguruar dëshmi nga dhjetëra biznese për këtë taksë, të cilën ata e quajnë asgjë më shumë se zhvatje. Në një rast, njëri nga bizneset ka paguar 7500 euro vetëm për t’u kyçur në rrjetin elektrik.

Buletini Ekonomik e ka pyetur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) se në bazë të cilës rregullore është zbatuar kjo taksë nga KEDS-i. Por, përgjigja e tyre ngrit edhe më shumë dyshime.

ZRRE-ja ka ofruar një çmimore të KEK-ut të vitit 2005, duke vënë kështu në dyshim ligjshmërinë e kësaj takse.

„Bazuar në vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) Nr. D_03_2005, e lëshuar më 30.06.2005, KEK-u si operator i licencuar asokohe për sistemin e shpërndarjes, ka përgatitur “Procedurat dhe Çmimet e Shërbimit të Lidhjes”, e cila u aprovua nga ZRRE-ja, dhe si e tillë ka mbetur ende në fuqi“, thuhet në dokumentin e ofruar nga ZRRE-ja.

Në këtë dokument është bashkangjitur edhe metodologjia e kyçjes së bizneseve në rrjetin elektrik.

„Të bashkangjitur mund të gjeni metodologjinë e kyçjes në rrjet i hartuar nga KEK-u në vitin 2005. Çmimet, të cilat gjenden në fund të këtij dokumenti janë po ato çmime të cilat i aplikon edhe KEDS“, thuhet në dokumentin e ZRRE-së.

Buletini Ekonomik ka pyetur në ZRRE se pse nuk është nxjerrë metodologji e re me rastin e privatizimit të Distribucionit, por ata nuk e kanë sqaruar një gjë të tillë.

Ndërkaq, zëdhënësi për media në KEDS, Viktor Buzhala, në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik, pati pranuar se si kompani kanë aplikuar për metodologjinë e re në ZRRE, por këtë e kanë bërë vetëm në vitin 2016.

„KEDS-i gjatë vitit 2016 ka hartuar metodologjinë e re të cilën e ka dorëzuar per miratim tek Rregullatori dhe e njëjta ka qenë në diskutim publik, por që ende nuk është aprovuar nga ZRRE-ja“, pat thënë Buzhala.

Sipas tij, në këtë propozim të ri të KEDS-it, nëse taksa e kyçjes për një biznes të madh kushton 20,200 euro (shembull hipotetik) në propozimin e KEDS-it do të kushtojë shumë më pak, pra më pak se 200 euro. 

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), që në të njëjtën kohë është edhe rregullatori kryesor për KEDS-in, ka lejuar që KEDS-i që nga viti 2012, të punojë me një çmimore të njëjtë, e cila në atë kohë ishte e miratuar për KEK-un.

Disa biznese kanë treguar përvojën e tyre për Buletinin Ekonomik, të cilat janë ankuar për shuma të mëdha të mjeteve që po kërkon KEDS-i me rastin e kyçjes së tyre në rrjet, si dhe pagesat shtesë për trafo.

Njëri nga rastet e hulumtuara nga Buletini Ekonomik, ka paguar deri në 7500 euro për kyçje në rrjet.

Për secilën kyçje në rrjetin elektrik, të gjitha bizneset janë të detyruara t’i paguajnë taksat për kapacitet dhe taksat e kyçjes, varësisht se në cilin nivel të tensionit është kërkesa e tyre për kyçje.

Pronari i njërit nga bizneset, që ka dashur të mbetet anonim, e i cili për këtë ka ofruar edhe dëshmi, ka treguar për Buletinin Ekonomik se jo më pak se dy javë, biznesit të tij i është kërkuar të paguajë fiks 7 mijë e 522 euro, për t’u kyçur në rrjetin e KEDS-it, e përpos kësaj edhe i është dashur ta paguajë edhe Trafon në vlerë të mbi 15 mijë eurove, e cila më pas bëhet pRONë e KEDS-it.

Po ashtu, i njëjti biznes ka paguar edhe rreth 300 metra kabllo nga rrjeti i vet KEDS-it deri te objekti i tij, si dhe instalimin.

“Se nuk kam qef me fol pa dokumente, kjo është e para dy jave, ku biznesit i kërkohen të paguaj 7522.50 euro, për të ju mundësuar kyçja në rrjet të KEDS-it, plus Trafon mbi 15 mijë euro duhet me ble vet, edhe 300 metra kabëll nga rrjeti i KEDS-it deri te objekti, duhet poashtu vet biznesi me i ble dhe instalu”, ka thënë ky burim. /Buletini Ekonomik/