Gjatë ditës së djeshme është caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të mbahen në komunën e Podujevës, por partitë politike ende nuk i kanë publikuar zyrtarisht emrat e kandidatëve, të cilët do t’i përfaqësojnë në garën e 15 marsit.
Sidoqoftë, ditëve të fundit në opinion janë përmendur një sërë emrash si të mundshëm për të qenë kandidatë të subjekteve politike në këto zgjedhje.
Njëri ndër ta është edhe arkitekti llapjan, Mentor Llugaliu.
Emri i tij është qarkulluar në rrjete sociale, si kandidat eventual për ta marrë timonin e Komunës së Podujevës.
Llugaliu, është arkitekt me profesion dhe ushtron detyrën edhe si profesor në këtë lëmi.
Ai njihet si mbështetës i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kundërshtar i kryetarit të deritanishëm të Podujevës, tani Ministër i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Llugaliu, në opinion njihet për kritikat e ashpëra që i bënë nëpër rrjete sociale, ndaj dukurive të ndryshme që ndodhin në Kosovë, veçmas atyre që kanë të bëjnë me politikën.
Ditëve të fundit, një fotografi me Llugaliun e ka shkrepur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
“Me Mentor Llugaliun duke analizuar atë që duhet ndreçur në Podujevë”, ka shkruar Bajqinovci.
Teksa, një aktivist tjetër i VV-së, Mentor Latifi, në një postim të tij, ku në mesin e të pranishmëve është edhe vetë Llugaliu, ka shkruar se njëri nga personave të ulur në tavolinë është kandidat për kryetar të Podujevës.
“Kandidati për kryetar të Podujevës ndodhet në këtë tavolinë. Përhajr përhajr!”, ka shkruar Latifi.
Mirëpo, ende nuk ka asgjë zyrtare nga asnjë parti politike.
Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike, kanë paralajmëruar se shumë shpejt do t’i mbledhin organet e tyre, për të vendosur se kush do t’i prijë garës për të dalur triumfues në zgjedhjet e 15 marsit në Podujevë.
Kjo komunë, shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryetarit Agim Veliu, i cili la postin e udhëheqësit të Podujevës, për t’u bërë Ministër i Punëve të Brendshme.