Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook thotë se marrëveshja u arrit pasi ky ishte vullneti i qytetarëve, derisa shpreh bindjen se po i japin Kosovës institucione që do t’i dalin vendit zot – brenda e jashtë.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, sot kanë zyrtarizuar koalicionin qeverisës.
“Bëmë marrëveshje sepse ky ishte vullneti qytetar; i shumicës së votuesve që me 6 tetor folën qartë. Bëmë marrëveshje sepse idetë që na bashkojnë janë më të shumta se sa ato që na ndajnë. E partnerët e matur e serioz, në kohë të vështira, zgjedhin gjuhën e rrugën bashkë. Të dy palët e duam një Kosovë të jetueshme, për vete, për fëmijët e për prindërit e tanë. Të dy palët po i japim Kosovës institucione që do t’i dalin vendit zot – brenda e jashtë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai thotë se secilin skeptik duhet ta bindin ndryshe.
Kemi humbur kohë mjaft, por kemi ide të qarta përpara. Puna e vërtetë fillon tash. Nga sot, asnjërin mbështetës s’guxojmë ta dëshpërojmë, e secilin skeptik duhet ta bindim ndryshe. Kosova është e të gjithëve”, ka thënë Abdixhiku.