Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku e ka obliguar Komunën e Prishtinës që ta bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore në afërsi të Liqenit të Badovcit.
Kjo ministri, ndalimin e ndërtimit të lagjes së shumëpërfolur në afërsi të Badovcit e ka bërë duke u thirrur në Ligjin për Ujërat e Kosovës, dhe duke u mbështetur pikërisht në vendimin e Qeverisë, ku liqeni i Badovcit ishte shpallur zonë e mbrojtur.
Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook ka thënë se qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit, dhe mbi të gjitha edhe e interesuar ta dëgjojë zërin e padëgjuar të qytetarëve.
Ministri Abdixhiku shtoi se kësaj radhe ishin vet qytetarët përcaktuesit e ngritjes së alarmit me kohë për mungesën e pritshme të ujit, dhe se duhej ndaluar ndërtimet e përfolura afër këtij liqeni. /Buletini Ekonomik/