Kreu i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, iu ka dhënë mbështetje qytetarëve mitrovicas për protestën e paralajmëruar për ditën e hënë.
Të hënën me fillim prej orës 09:00, banorët e Shalës së Bajgorës kanë paralajmëruar protestë, për siç thonë ata, kundër keqpërdorimeve që janë duke u bërë në punësim në gjigantin metalurgjik “Trepça”, shkruan lajmi.net.
Në mbështetje të tyre ka dalë edhe i pari i Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebooj, Bahtiri, ka thënë se kjo ndërmarrja ka qenë përherë promotor i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Sipas tij sakrifica e madhe e minatorëve dhe banorëve vendas të Shalës së Bajgorës, e shpëtuan nga shkatërrimi “Trepçën”.
Postimi i plotë i Bahtirit pa ndërhyrje:
Kombinati TREPÇA, gjithmonë ka qenë promotori kryesor i zhvillimit ekonomik të Mitrovicës, por edhe mbarë Kosovës. TREPÇA ka pasur prodhim të lartë, duke sjellë kështu profit të madh për vendin. Kjo për arsye sepse është punuar drejtë, është punuar pa hile.
Punëtorët janë kujdesur për minierën sikurse për shtëpinë e tyre, sepse realisht edhe ka qenë shtëpia e tyre e dytë. Falë saj kanë siguruar mirëqenie për familjet, arsimin për fëmijët e tyre dhe perspektivë për Kosovën në përgjithësi.
Menjëherë pas luftës, fal punës vullnetare dhe me rrezikshmëri të lartë për minatorët, miniera e TREPÇËS u shpëtua nga përmbysja dhe shkatërrimi i saj. Kjo ndodhi me vendosmërinë dhe sakrificën e minatorëve vendas, shaljanë.
Fatkeqësisht, shumë shpejt pas kësaj filloi implikimi i politikës në punën e minierës dhe u harrua kontributi i minatorëve vendas dhe dalëngadal ata u zëvendësuan me të dëgjueshmit dhe servilët partiak nga anembanë Kosova.
Shaljanët u anashkaluan krejtësisht dhe në vend të punësimit shpërbleheshin me premtime të rrejshme.
Assesi nuk pajtohem me ndarje krahinore, por gjithsesi nuk mund të pajtohem as me injorim të tillë që i bëhet Shalës nga paslufta. Nuk kërkojmë favorizime, por nuk pranojmë as anashkalime.
Pajtohem dhe mbështes fuqishëm protestën e nesërme me anë të së së cilës shaljanët kërkojnë drejtësi dhe barazi, sepse ky duhet të jetë synimi kryesor në shoqërinë tonë.