‘Aksham Pazari’ me prona: AKP i qet në shitje 137 asete në procedurë të shpejtë

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Paralajmërimi i Qeverisë Kurti për mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) duket se po shfrytëzohet maksimalisht nga drejtuesit e AKP-së.

Për një kohë të shkurtër kjo agjenci ka shpallur dy valë të likuidimit të ndërmarrjeve, me qindra prona në shitje.

Vetëm pak ditë pasi përfundoi një valë e shitjeve, sot, AKP-ja ka shpallur Shitjen nr. 55 të Aseteve të Ndërmarrjeve në likuidim.

Reklama e sponzorizuar

Bëhet fjalë për gjithsej 137 prona anëkënd Kosovës që do të shiten.

“Prona të shumta në lokacione atraktive në të gjithë rajonet e Kosovës ju ofrojnë mundësi të shkëlqyeshme për blerje dhe zhvillim të biznesit tuaj. Ofertat përfshijnë numër të konsiderueshëm të parcelave bujqësore dhe prona të tjera të përshtatshme për aktivitete të ndryshme biznesore”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Në marrëveshjen për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një paragraf i kushtohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

“Kjo Agjenci do të shuhet dhe si e tillë do të transformohet në një agjenci brenda Qeverisë”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.

Por, përkundër kësaj, kjo agjenci e cila drejtohet nga Valon Tolaj, ka vazhduar me shitjen e aseteve të saj. Ditë më parë u shiten 93 asete tjera, ku vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 2,254,33 euro. /Buletini Ekonomik/