Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes një dispozite ligjore të miratuar nga vet ajo, iu ka mundësuar anëtarëve të Bordit Ekzekutiv si dhe anëtarëve të Bordit të BQK-së, që në rast të dorëheqjes apo përfundimit të mandatit të tyre të marrin edhe nga një kompensim shtesë edhe për një vit të plotë pas ndërprerjes së kontratës.
Nga ky privilegj, që del nga vet ligji i BQK-së do të përfitojnë dy organe brenda BQK-së: Bordi Ekzekutiv dhe Bordi i BQK-së.
Në Bordin Ekzekutiv janë Guvernatori dhe dy zëvendësguvernatorët, kurse në përbërje të Bordit të BQK-së janë 5 anëtarët e Bordit, përcjell Buletini Ekonomik.
Një ndër të kompensuarit, sipas këtij ligji në fjalë është edhe ish-guvernatori i BQK-së, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Hamza pas dorëheqjes së tij nga pozita e Guvernatorit të BQK-së në vitin 2017, kishte vazhduar të marrë edhe një pagë ‘jubilare’ të quajtur si ‘kompensim’ që ia mundëson vet ligji i BQK-së. Në kohën sa ishte ministër i Financave, pra një vit pas dorëheqjes së tij, më 2018, përpos pagës si ministër, Hamza kishte përfituar nga BQK-ja edhe 24 mijë euro tjera për një vit të plotë, duke u thirrur pikërisht në këtë ligj.
“Unë jam kompensuar për një pjesë të vitit 2018. Kjo është e rregulluar me Ligjin për BQK-në, që thotë se guvernatori edhe një vit pasi të largohet nga BQK-ja, nuk ka të drejtë të punojë në sektorin financiar dhe se i takon një kompensim”, pat thënë ish-guvernatori, tash deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Paga e tij në BQK nuk ishte bërë publike deri në kohën e deklarimit të pasurisë vitin e kaluar. Aty, Hamza kishte deklaruar të hyra nga BQK-ja në vlerë prej 24 mijë e 255 eurove, derisa te lloji i të hyrave, këtë pagë e kishte cilësuar si “Paga BQK”. Kjo ishte për 5 mijë euro më shumë se sa paga në kohën e tij si ministër i Financave, ku të hyrat vjetore kishin qenë 15 mijë e 257 euro.
Buletini Ekonomik ka analizuar Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, përkatësisht nenin 44, ku thuhet se “Ish-anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës apo të Bordit Ekzekutiv nuk do të shërbejnë në asnjë lloj cilësie në një bankë apo institucion tjetër financiar në Kosovë, për një periudhë një vjeçare pas largimit nga BQK-ja”.
“Gjatë periudhës së kufizimit, Bordi i Bankës Qendrore mund të përcaktojë një nivel të duhur kompensimi për t’u paguar ndaj këtyre ish-anëtarëve të Bordit Qendror dhe Bordit Ekzekutiv”, thuhet tutje në këtë ligj.
Ndërkohë, Buletini Ekonomik merr vesh se niveli i kompensimit të këtyre anëtarëve të Bordit Ekzekutiv dhe Bordit të BQK-së sipas këtij ligji, arrin deri në 70 për qind të pagës bazë të anëtarëve të Bordit të BQK-së. /Buletini Ekonomik/