Osmani: Ja çka do ta dërgonte Kosovën në zgjedhje

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se LDK-ja po pret nga Vetëvendosje të njëjtin vullnet politik siç e ka partia e saj për të arritur marrëveshjen e koalicionit.

“Unë nuk mund të flas për Vetëvendosjen, nuk e di çfarë arsye kanë ata, duhet t’i pyesni ata për qëndrimin e tyre, ajo çka kemi shprehur një bashkëpunim në mënyrë bashkëpunuese është që të takohemi sërish dhe të ulemi të diskutojmë e t’i sqarojmë pozitat tona si LDK, pastaj ta shohim se çfarë ndodhë mëtutje. Me rëndësi është që ne kemi shprehur vullnetin e plotë, do të doja ta shihja edhe të njëjtin vullnet te Vetëvendosje”, tha Osmani për EO, përcjellë albinfo.ch.

Reklama e sponzorizuar

Ajo tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë, në dy rastet që obligon Kushtetuta.

“Këto janë procedura kushtetuese, nëse deri më datën 26 tetor nuk ka marrëveshje atëherë është çështje e partisë së parë të vendos nëse do të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi apo jo dhe të konstituohen institucionet apo e lënë për një datë tjetër. Vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë në dy rastet që jepen në përputhje me Kushtetutën”.

Osmani për pozitën e presidentit tha se është çështje e balancit të pushteteve dhe asgjë tjetër.

“Ne këto çështje do t’i diskutojmë në tavolinë në momentin e parë që ka takime. Nuk është çështje e ngurimit, është çështje e balancit të pushteteve dhe asgjë tjetër”.

“Pra, vullneti ekziston besoj të tjerat diskutohen në tavolinë dhe është tejet me rëndësi të kuptohet që çështjet që janë shtruar në Këshillin e Përgjithshëm janë të tilla që i kanë dhënë përkrahje të plotë kryetarit dhe neve si nënkryetarë që negociojmë më VV-në në mënyrë që të diskutojmë çështjet që kanë mbetur të paakorduara dhe në fund të përpiqemi që të bëjmë një marrëveshje që është në të mirë të Kosovës”.