Apelohet për kujdes ndaj importit të mallrave me origjinë aziatike

Qindra persona kanë vdekur e mijëra të tjerë janë prekur nga virusi “Coronavirus” në Kinë. Ky virus tashmë ka arritur edhe në shtetet evropiane ndërsa, veç njerëzve, virusi mund të transmetohet edhe përmes mallrave.

Kosova nuk ka linjë të drejtpërdrejtë ajrore me Kinën, por mallrat që vijnë nga ky shtet janë të shumta. Sekretari gjeneral i Chamber Investment Forum – WB6, Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova duhet të tregohet vigjilente dhe të merren masa ndaj importeve aziatike

Më shumë se 420 njerëz kanë vdekur dhe rreth 20 mijë të tjerë janë infektuar deri më tash nga virusi i quajtur “Coronavirus” në Kinë, ndërsa ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se këto shifra do të rriten edhe më shumë.

Reklama e sponzorizuar

Autoritetet kineze kanë njoftuar të dielën se mbi 14 000 raste janë të prekur nga ky virus, që ka shpërthyer në qytetin Vuhan, në provincën Hubei.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë globale pas përhapjes së këtij virusi.

Virusi në fjalë tashmë ka arritur edhe në ShBA, Britani dhe në shtetet evropiane. Përveç njerëzve, virusi mund të transmetohet edhe përmes mallrave.

Sekretari gjeneral i Chamber Investment Forum – WB6, Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova duhet të tregohet vigjilente karshi kësaj sfide. Ai ka pohuar se sikurse vendet e tjera të Bashkimit Evropian, edhe Kosova duhet të jetë çdoherë në gjendje gatishmëri ta parandalojë këtë virus. “Me të vërtetë coronavirusi është duke prekur të gjitha vendet, andej edhe Kosova duhet të jetë vigjilente dhe të merren masa ndaj importeve aziatike. Ju jeni dëshmitar se sa shumë jemi të varur nga importi i vendeve aziatike, prandaj AVUK-u dhe Dogana e Kosovës duhet të jenë në çdo minutë në gjendje gatishmërie”, ka thënë Gërxhaliu.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se Republika e Kosovës nuk ka importe nga shteti i Kinës, të produkteve ushqimore të cilat potencialisht konsiderohen si lëndë e përmes së cilës mund të bartet virusi, njëkohësisht nuk ka as importe të kafshëve të gjalla. “I vetmi import ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve të cilat i kemi ndaluar menjëherë për import. Kjo na ndihmon që ne t’i shmangemi rrezikut nga vendi i origjinës së virusit. Po ashtu, ndaj secilit shtet që ndërmerren masat e ndalesës së tregtimit të produkteve ushqimore dhe kafshëve, menjëherë ndalesa do të vlejë edhe për tregtim me vendin tonë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në vazhdimësi është duke monitoruar gjendjen prej fillimit të përhapjes së shpejtë të coronavirusit, i cili ka origjinë në Kinë, por që po përhapet edhe në Evropë. “Ne si autoriteti më i lartë për ushqim dhe veterinari jemi të gatshëm që në çdo kohë, me të gjitha kapacitetet që kemi, të vihemi në dispozicion për të vepruar, për parandalimin e përhapjes së sëmundjes në vendin tonë. Jemi pjesë e komitetit për sëmundje ngjitëse në vend. Jemi në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Të gjitha rekomandimet që dalin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve (CDC) jemi të përgatitur që t’i aplikojmë në pjesën e kompetencave tona. Sikurse të gjitha vendet të cilat inkurajohen të vazhdojnë ta forcojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005). Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka përvojë të mjaftueshme dhe jemi të përgatitur për veprim në rastet e shpërthimit të sëmundjeve”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se është caktuar zyrtari përgjegjës për hartimin e planit të veprimit dhe kontigjencës për “2019-nCoV”, si dhe Inspektorati Sanitar është në gjendje gatishmërie për zbatimin e Ligjit për sëmundje ngjitëse. “Kemi caktuar zyrtarin përgjegjës për hartimin e planit të veprimit dhe kontigjencës për ‘2019-nCoV’. Inspektorati Sanitar është në gjendje gatishmërie për zbatimin e Ligjit për sëmundje ngjitëse. Kurdo jemi të gatshëm të ngrehim shtabin e krizës përmes të cilit vendosim masat mbrojtëse në kontroll dhe tregtim të ushqimeve dhe kontroll të tregtimit të kafshëve përmes ndalesave që kërkohen të bëhen si masa të përgjithshme veterinare. Masat e para të cilat do të urdhërohen nga AUV janë në përputhshmëri me masat përgjithshme veterinare dhe sanitare për parandalimin e përhapjes se sëmundjes. Masat të cilat merren nga vendet e Bashkimit Evropian në të njëjtën kohë do të jenë të aplikueshme edhe në vendin tonë”, ka deklaruar Thaçi, duke shtuar se i vetmi import ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve.

Ndërkaq zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Dogana zbaton çdo udhëzim që është nga organet kompetente sa iu përket masave preventive. “Në çdoherë jemi të gatshëm t’i zbatojmë urdhrat që na vijnë nga organet kompetente. Në rast të ndonjë dyshimi presim udhëzime nga AVUK dhe jemi të gatshëm t’i zbatojmë ato”, ka deklaruar Stavileci.