Anulim të menjëhershëm të tenderit për ndërtimin e fazës së dytë të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, përkatësisht segmentin Bresalc-Dheu i Bardhë ka rekomanduar Raporti i Auditorit të Brendshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.
Në raportin që e ka gazeta, ministrit dhe sekretarit të përgjithshëm të MI-së u rekomandohet që të marrin vendimin në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore që kanë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas këtij raporti, i cili u është dorëzuar udhëheqësve të këtij dikasteri të hënën, tenderi mund të zhvillohet pas miratimit të buxhetit dhe ndarjeve buxhetore për vitin 2020 nga Kuvendi i Kosovës.
Auditori ka konstatuar se tenderi i hapur nga udhëheqësja e Divizionit të Prokurimit pasqyron vazhdimin e një praktike të kundërligjshme të procedimit të projekteve kapitale pa planifikim dhe pa përfshirë në Ligjin e buxhetit dhe ndarjet buxhetore për vitin 2019.