“Wells Fargo”, bankë e njohur në Amerikë, është pajtuar të premten që të paguajë gjobë prej 3 miliardë dollarësh si marrëveshje pas padisë civile nga Departamenti i Drejtësisë për skandalin me llogaritë e rreme.
Nën presion për të arritur kuotat e shitjes, punëtorët e bankës kishin hapur miliona llogari nën emër të klientëve aktualë, pa dijeninë e tyre. Që kur shpërtheu skandali më 2016, banka u përball me shumë padi. Skema kishte zgjatur më shumë se një dekadë, kanë thënë zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, dhe u funksionalizua nga mijëra punëtorë të “Wells Fargo”.
“Kjo marrëveshje e mban përgjegjëse ‘Wells Fargon’ për tolerimin e shkeljeve flagrante që është e jashtëzakonshme për kohëzgjatjen e saj apo edhe për shtrirjen dhe për mosrespektimin e informatave private të klientëve”, ka thënë ky institucion, transmeton “nbcnews”.
Zyrtarë amerikanë kanë thënë po ashtu se banka kishte ndërmarrë disa hapa për të fshehur llogaritë nga klientët, duke manipuluar nënshkrimet, e duke parandaluar punëtorët tjerë të “Wells Fargos” të kontaktojnë me klientët.
Asnjë shifër nga 3 miliardë dollarëshi nuk do të shkojë për kompensim të klientëve. Por zyrtarët kanë thënë se “Wells Fargo” ka bërë përpjekje vetë për të kompensuar viktimat për humbjet potenciale – sikur tarifat me të cilët mund të ishin përballur, apo diçka tjetër.