Banorët e fshatit Biti e Poshtme të komunës së Shtërpcës kanë organizuar sërish një protestë gjatë së mërkurës, për ta kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë lumit Lepenc.
Sipas banorëve futja e lumit nëpër gypa po i dëmton qindra e mijëra hektarë të parcelave bujqësore. Ndërkohë një ditë më parë banorët e këtij fshati janë vizituar edhe nga përfaqësues të institucioneve qendrore të cilët kanë premtuar pezullimin e punimeve në hidrocentrale derisa të shqyrtohej e gjithë dokumentacioni i tyre. Banorët e këtij fshati gjatë vitit të kaluar kanë deponuar dhjetëra ankesa dhe kërkesa nëpër institucione publike për mbrojtjen e lumit Lepenc dhe parandalimin e futjes së lumit nëpër gypa, mirëpo deri tashti nuk janë shqyrtuar ato, raporton Koha Ditore.
Agron Rushiti, banor nga fshati Biti e Poshtme e komunës së Shtërpcës, ka thënë se do të vazhdojnë me protesta të tilla derisa niveli qendror të vendos masë të përkohshme për pezullimin e punimeve në këto hidrocentrale. Sipas tij, për vendosjen e një mase të tillë ka rekomanduar edhe avokati i popullit në vitin e kaluar, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Rreth 60 protestues sërish jemi duke protestuar për ta kundërshtuar futjen e lumit Lepenc nëpër gypa. Kjo po ndodhë derisa po ndërtohen hidrocentrale në fshatin tonë. Andaj ndërtimi i tyre po i dëmton parcelat tona bujqësore. Ne kërkojmë edhe një herë nga niveli qendror që të vendos masë të përkohshme për anulimin e punimeve në këto hidrocentrale dhe ta shqyrtojnë komplet dokumentacionin e tyre sepse lejet për ndërtim të hidrocentraleve janë të paligjshme”, ka thënë Rushiti.
Sipas tij, debatet publike për ndërtimin e hidrocentraleve janë mbajtur në një komunë tjetër pa pëlqimin e banorëve të fshatit Biti e Poshtme, pastaj edhe Komuna e Shtërpcës në mënyrë të jashtëligjshme ka dhënë pëlqime për ndërtim të objekteve për hidrocentrale, ndërkohë është shpërfillur edhe rekomandimi i avokatit të popullit për vendosjen e masës së përkohshme etj.
“Punimet nuk po arrin t’i ndaloi askush megjithëse ato janë në kundërshtim me vullnetin e banorëve dhe në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e lumenjve. Përveç kësaj fshati jonë prej më shumë se 2 muajsh ka mbetur pa ujë të pijshëm shkaku i dëmtimit të ujësjellësit nga punimet në hidrocentrale. Pra, kërkojmë nga qeveria ta trajtoi në përpikëri çështjen e hidrocentraleve dhe ta rikthejë lumin Lepenc me bukuritë e saj natyrore”, ka kërkuar ai.
Edhe bashkëfshatari i tij, Azem Tahiri, ka thënë se mijëra hektar me kultura të ndryshme bujqësore po dëmtohen gjatë ndërtimit të hidrocentraleve, ndërkohë ankesat e tyre nuk janë shqyrtuar nga institucionet publike. “Do të vazhdojmë edhe gjatë ditëve të ardhshme me protesta derisa Qeveria e Kosovës të marrë masa për pezullimin e punimeve dhe shqyrtimin e dokumentacionit të hidrocentraleve. Shumica e banorëve mbijetojmë duke u marrë me prodhime të ndryshme të kulturave bujqësore, ndërkohë me “varrosjen” e lumit në këtë mënyrë po na kërcënon me shpërngulje”, ka thënë ai.
Ndërkohë, një ditë më parë, banorët e këtij fshati i ka vizituar zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit Avni Zogiani, i cili ka premtuar se do të marrin masa për shqyrtimin e dokumentacionit të hidrocentraleve. “Zëri i eksperteve dhe banorëve nuk është dëgjuar mjaftueshëm dhe projektet mund të kenë ndikim shumë më të madh socio-mjedisor se që është pretenduar në studimet e bëra nga konsulencat e njëanshme të angazhuara për këto projekte. Studimet fillestare dyshohet se janë bëre pro-formë dhe nuk kanë marrë seriozisht mundësinë e ndikimit në jetën e habidateve dhe të njerëzve në këto zona. Prandaj, ne u premtuam banorëve të Bitise se do t’i rishikojmë projektet e tilla”, ka thënë Zogiani.
Ai ndërkohë nëpërmjet një komunikate, ka thënë se disa gjëra duhet kuptuar rreth Hidrocentraleve derisa ekspertët thonë se vlerësimet e ndikimit mjedisor kanë qenë improvizim dhe pa metodë të pranueshme shkencore. Pastaj, janë rrotulluar prioritetet e menaxhimit të ujërave që janë: uji i pijshëm, agro-biznesi, industria dhe energjia.
“Hidrocentralet do të prodhojnë vlerë shumë më të ulët ekonomike sesa vlerën e ekonomive familjare që shkatërrojnë rritjen e mjedrave, për shembull mbi 200 hektarë ngelen të papunuara. Hidrocentralet marrin nga duart e banoreve përreth aktivitetin biznesor dhe e vejnë në duar të pak njerëzve, të cilët duket se nuk kanë plotësuar as kushtet për licencë”, ka thënë Zogiani.
Sipas tij, Metoda që do të përdorët së paku në rastin e fshatit Biti është hidrocentrale me derivativ, por që në këtë rast pothuajse i tërë lumi (në Biti mendohet mbi 98 për qind) futet në gypa dhe kjo do të shkatërrojë habitatet, përveç se do të krijoje krize për ujë të pijshëm e për ujitje.
“Hidrocentralet prape s’do të kenë kapacitete që do të ndryshonin vrejtshëm pjesëmarrjen e energjisë së ripërtritshme në raport me prodhimin dhe nevojat e përgjithshme. Hidrocentralet nuk do ta përmirësojnë mjedisin, por në të kundërtën do ta dëmtojnë rëndë atë sepse kilometra të tëra (segmente nga 6 km) të lumenjve do të futen në tubat që praktikisht shkatërrojnë ekosistemin e pellgjeve te lumenjve. Vendimet për ndërtimin e hidrocentraleve janë marrë pa pasur një plan të përgjithshëm të menaxhimit të ujërave, gjë që i bën ato në kundërshtim me ligjet në fuqi”, ka thënë midis të tjerash Zogiani.
Ai ka shtuar se hidrocentralet derivative janë zgjedhur pa pasur parasysh ndonjë alternative me më pak ndikim në mjedis, por janë zgjedhur thjesht sepse janë më thjesht të realizueshme dhe mbase edhe më të lira. “Ka dyshime se procesi i dhënies së licencave ka qene më shkelje dhe me mundësi korrupsioni”, ka shtuar Zogiani.