Borrell në Beograd: Kosova dhe Katalonia nuk duhet krahasuar

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, gjatë qëndrimit në Beograd, ka thënë se Kosova nuk duhet krahasuar me Kataloninë.

Borrell me bindje socialiste, njihet si një kundërshtar i separatizmit katalonaz dhe përkrahës i unitetit të Spanjës.

Megjithatë, ish-ministri i Jashtëm i Spanjës, në një intervistë për RTS ka thënë se ai duhet ta harrojë pozicionin që ka pasur në një shtet që nuk e njeh Kosovën dhe të mbrojë pozicionin e tij europian.

Reklama e sponzorizuar

“Unë kam qenë Ministri i Jashtëm i Spanjës, një vend që nuk e njohu pavarësinë e Kosovës për arsye të tij. Unë nuk jam më koka e diplomacisë spanjolle dhe kam një përgjegjësi ndaj Europës dhe duhet të harroj pozicionin e vendit tim dhe të mbroj pozicionin tim europian. Le të përpiqemi të bëjmë maksimumin që mundemi për të lehtësuar dialogun. Do të punoj për atë. Njerëzit duhet të kuptojnë se kur punoni në një nivel europian, nuk mund të monitoroni pozicionin e vendit tuaj”.

Ai gjithashtu ka thënë se rruga e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së do të rrezikohet nëse dy palët nuk ulen për të dialoguar. Borrell shtoi se në këtë drejtim të gjithë duhet kontribuar, përfshirë edhe SHBA-të.

“Ne kemi nevojë për të nisur dialogun dhe i takon Bashkimit Europian të ndihmojë në këtë drejtim. Unë mendoj se duhet të jemi aktivë. Nëse asgjë nuk është bërë, problemi do të mbetet i pazgjidhur dhe rruga e Serbisë dhe Kosovës drejt Bashkimit Evropian do të rrezikohet. Unë e di se muajt e fundit, tensionet janë rritur midis dy palëve kur bëhet fjalë për tarifat dhe aktivitetin diplomatik. Ne kemi nevojë për të ulur tensionin, për t’u rikthyer në një situatë ku dialogu është i mundur. Për ne në Bashkimin Europian është një investim, ne nuk po e bëjmë atë për veten tonë, por për pajtimin dhe paqen. Ne do të donim që kjo të ndodhte në Ballkanin Perëndimor”.

Sa i përket ndërmjetësimit të SHBA-së përmes Emisarit të Donald Trump, Richard Grenell, Përfaqësuesi i BE-së tha se duhet bashkëpunim për të arritur rezultat. Megjithatë, ai doli kundër mendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ekonomia është gjithçka.

“Ne nuk garojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë mendoj se ekonomia është gjithçka për Presidentin Trump, por politika është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ky nuk është një problem ekonomik, por edhe nga një këndvështrim ekonomik, Bashkimi Europian ka investuar shumë para si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, shumë më tepër sesa Shtetet e Bashkuara. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe ta ndihmojmë. Ne nuk konkurojmë me ta”.

“Të gjithë duhet të kontribuojnë në procesin e dialogut dhe një ditë mund të jenë marrëdhënie normale midis njerëzve në Ballkanin Perëndimor, siç është sot në Bashkimin Europian, ku kufijtë janë të padukshëm. Mund të jetë një ide e mirë të kesh një të Dërguar Special për Dialogun Beograd-Prishtinë, dikush që e njeh mirë rajonin, që është një diplomat me përvojë, që ka besimin tim dhe aftësi të forta, sepse ky është një problem që duhet të trajtohet në baza ditore dhe jo herë pas here që dikush të vjen nga Berlini dhe Brukseli për të thënë diçka. Ai duhet të jetë plotësisht i përkushtuar për këtë derisa të arrihet marrëveshja”.