Në ditën kur në Bruksel u zhvillua konferenca e donatorëve për Shqipërinë, u zhvillua edhe mbledhja e Këshillit të Çështjeve të Jashtme, ku pjesëmarrës ishin ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Edhe pse tema kryesore ishte situata në Libi dhe përmbyllja e misionit “Sophia” për shpëtimin e emigrantëve në Mesdhe, nuk mungoi as Ballkani Perëndimor si temë e trajtuar.
Ishte paraparë që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të njoftojë për vizitat e tij në Kosovë e Serbi dhe për idenë që të caktojë një Përfaqësues të posaçëm i cili do të ngarkohej me detyrën e lehtësimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas burimeve diplomatike, Borrell ka paralajmëruar se tash do të nis konsultimet me ministrat e vendeve anëtare rreth emërimit të një përfaqësuesi. Të njëjtat burime thonë se ai do të merret me dialogun e jo me tërë rajonin edhe pse vet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikim në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si çështja më e rëndësishme që ende nuk është zgjidhur.
Me gjithë përpjekjet nga BE-ja dhe vet Borrelli që të lihet përshtypja sikur ky post është i hapur për cilindo kandidat që plotëson kushtet, shumica e diplomatëve nga vendet anëtare të BE-së pohojnë se ky post thuajse është i rezervuar për ministrin e jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak. Në Sllovaki pas dy javësh do të zhvillohen zgjedhjet dhe Lajçak ka paralajmëruar se karrierën e tij e sheh në strukturat ndërkombëtare, mundësisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ideja e Borrellit është që në takimin e radhës, me gjasë në muajin mars, dhe të dalë me propozim konkret rreth emrit të personit, të cilit do t’i besohet kjo detyrë. Borrell dhe Lajçak kanë pasur të hënën një takim në Bruksel në margjinat e takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Shumë diplomatë të BE-së ende interesohen nëse Kosova e sheh si problem apo jo, që në një post të tillë të jetë një politikan nga një shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sidomos pasi Borrelli vjen nga Spanja, e cila kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës, e Lajçak vjen nga Sllovakia.
Burimet diplomatike i kanë thënë “Kohës Ditore” se “nuk janë të sigurt se cili është qëndrimi i Kosovës, sepse një gjë e thonë në takime me diplomatë nga vendet që e njohin Kosovën, e një gjë tjetër kur takohen me zyrtarë të Shërbimit të jashtëm të BE-së”.
Disa shtete të BE-së kanë shprehur rezerva ndaj Lajçakut, jo për shkak të personalitetit dhe përvojës së tij, e cila është e shkëlqyer, por për shkak të shtetit nga i cili vjen. Edhe pse Sllovakia ka qenë konstruktive ndaj Kosovës, sidomos krahasuar me Spanjën apo Qipron, megjithatë ajo ende nuk ka dhënë shenja se mund njoh pavarësinë.
Lajçak, nga ana e tij duket se edhe vet ka punuar që të zbusë qëndrimin e Kosovës. Mësohet se ka pasur takime edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Albin Kurti.
Presidenti Thaçi, duke folur pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së në Bruksel, tha se “kushdo që të vijë duhet ta trajtojë Kosovën si shtet, sepse pavarësia e Kosovës është fakt dhe është e pakthyeshme”.
Kosova nuk është trajtuar si shtet, as nga zyrtarët e BE-së që vijnë nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e vendit.
Si shtet, Kosovën nuk e kanë trajtuar as Përfaqësuesit e Lartë të BE-së që ishin para Borrellit, Catherine Ashton dhe Federica Mogherini. Në dialog dhe në qasje ndaj Kosovës, BE-ja është shprehur se “ka qëndrim neutral ndaj statusit”.