BQK favorizon kompanitë e sigurimeve: Nuk i liron sigurimet e automjeteve

Grupi “Marakli t’kerreve” ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje me Bankën Qendrore të Kosovës në lidhje me shtrenjtimin e sigurimeve të automjeteve.

Ky grup, më 22 nëntor të vitit të kaluar kishte protestuar para BQK-së, ku edhe i kishin paraqitur disa kërkesa ndaj këtij institucioni. Por, thotë se me mbështetjen që patën, “ishte e pamundur ulja e rritjes së sigurimit prej 26.6%”.

Grupi po ashtu ka theksuar se kanë kërkuar që për këtë çështje të kenë afër vetes një grup punues të përbërë prej një Juristi, një eksperti të sigurimeve, një përfaqësuesi të shoqërisë civile, të cilët në mënyrë vullnetare do ta ndihmonin grupin që të gjenin formën më të mirë të lehtësimit, të shtrenjtimit të sigurimit, por thekson se askush nga të lartcekurit nuk është lajmëruar.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, ky grup thotë se do ta vazhdojnë punën vetë.

Ndërkaq, grupi “Marakli t’kerreve” thotë se pas disa takimeve që kanë zhvilluar me Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, kanë marrë mbështetje që t’i çojnë përpara disa çështje të cilat, sipas tyre, do ta lehtësojnë sado pak shtrenjtimin e sigurimit.

Ndër pikat e dakorduara, grupit thotë se janë marrë vesh që fillimisht të ketë një zbritje të lehtë, prej 5%.

“Me nismën tonë, e ndihmën e z. Mehmeti, ne do ta ndryshojmë sistemin Bonus – Malus, gjë e cila do të jetë në të mirë të vozitësve, pra edhe nga kjo do të përfitojnë lehtësim shoferët që nuk shkaktojnë aksidente. Po ashtu pritet që sigurimi i veturës të kalojë sikur sigurim personal, p.sh në rast aksidenti, personi që e shkakton atë, t’i bartet atij personalisht shtrenjtimi i sigurimit, e jo veturës. Këtu pritet të hyjë edhe mundësia e blerjes së malusit, p.sh kur dikush shkakton aksident, mund ta blejë malusin që bonusi të mos i zvogëlohet”, thekson ky grup, raporton Koha.net.

Po ashtu, grupi “Marakli t’kerreve” thotë se, nga diskutimet me Guvernatorin e BQK-së, presin që shumë shpejtë, kufirin Kosovë-Maqedoni të Veriut, qytetarët tanë ta kalojnë pa pasur nevojë për karton të gjelbër.

Ndër pikat tjera është edhe Kartoni i Gjelbër të cilin bashkatdhetarët tanë e paguajnë sa herë hyjnë në Kosovë, e për të cilën çështje, ky grup thotë se së shpejti ata do të lirohen nga ky obligim.

“Edhe diaspora jonë e dashur pritet që shumë shpejt të lirohet nga Kartoni i Gjelbër, pasi që pritet gjetja e një modaliteti për këtë çështje, në mënyrë që diaspora jonë të gjejë mbulesë siguruese brenda policave siguruese nga vendi i origjinës, e jo të ketë pagesë shtesë për sigurim veturash”, thekson ky grup.

Gjithashtu, si mundësi është duke u diskutuar edhe pagesa e sigurimit nëpërmjet kësteve.

Grupi “Marakli t’kerreve” thotë në fund se do të çojnë përpara edhe shumë çështje, për të cilat thonë se do ta njoftojnë opinionin me kohë.