Çfarë pasurie kanë deklaruar gjashtë ministrat e Qeverisë Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka prezantuar kabinetin qeveritar. Glauk Konjufca, Agim Veliu, Albulena Haxhiu, Besnik Bislimi, Hykmete Bajrami, Arben Vitia, Lumir Abdixhiku, Vlora Dumoshi, Besian Mustafa, Anton Quni dhe Emilia Rexhepi, do të jenë pjesë e ekzekutivit. Bazuar në deklarimet e pasurisë, ministrat e Kurtit nuk qëndrojnë keq financiarisht. Express sjell deklarimet e pasurisë së shumicës së ministrave.

Vetë Kurti në regjistrin për deklarimin e pasurisë, ka deklaruar apartamentin e bashkëshortes në vlerë 400 mijë euro.

Para të gatshme, ai për vete nuk ka, derisa bashkëshortja e tij ka në banka 10 mijë euro “cash”, dhe një kredi në vlerë 270 mijë euro që e ka marrë për blerjen e apartamentit në kohëzgjatje prej 25 vitesh.

Reklama e sponzorizuar

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 20 mijë euro, derisa të bashkëshortes së tij rreth 40 mijë euro.

Glauk Konjufca

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka në pronësi dy banesa që bashkë kushtojnë rreth 140 mijë euro, njërën prej të cilave thotë ta ketë blerë me kredi.

Përveç këtyre banesave, ai ka deklaruar në pronësi të përbashkët një shtëpi që është në ndërtim e sipër e që thotë se kushton 100 mijë euro, si dhe një shtëpi vikendi në vlerë 40 mijë euro.

Konjufca thotë se ka edhe një tokë në pronësi të përbashkët në vlerë 30 mijë euro, dhe një truall në vlerë 80 mijë euro, që është në pronësi të prindit.

Si pasuri të luajtshme, Kryediplomati ka deklaruar një veturë Passat 3C, që kushton 3 mijë e 500 euro, e që thotë se është blerë me mjetet e grupit parlamentar të LVV’së.

Konjufca ka 4 mijë euro para të gatshme në banka, dhe asnjë cent borxh.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 29 mijë euro, që i merr si pagë nga Kuvendi i Kosovës dhe mëditjet. 

Agim Veliu

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në regjistrin për deklarimin e pasurisë, ka deklaruar në pronësi një tokë, shtëpi me oborr, banesë dhe një truall, por që nuk ka treguar për vlerën e tyre.

Ai ka deklaruar se ka mbi 12 mijë euro para të gatshme nëpër banka, dhe një kredi në vlerë 25 mijë euro që thotë ta ketë marrë për blerjen e truallit.

Të hyrat mujore të tij janë rreth 1 mijë e 200 euro, si Kryetar i Komunës së Podujevës.

Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Hashiu nuk ka asgjë mbi vete.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Haxhiu ka deklaruar një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë që kushton 12 mijë e 500 euro, por që thotë se janë në pronësi të bashkëshortit.

Si pasuri të paluajtshme, ajo ka deklaruar veturën e bashkëshortit, që thotë ta ketë blerë nga kredia e që vlera e saj është 6 mijë euro.

Si para të gatshme nëpër banka ka deklaruar vetëm 60 euro të bashkëshortit, derisa ka deklaruar se ka kredi në banka në vlerë 19 mijë euro.

Të hyrat e saj vjetore sillen rreth 27 mijë euro që i merr si pagë nga Kuvendi i Kosovës, derisa bashkëshorti i saj merr rreth 4 mijë e 200 euro, si pagë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kuvendi Komunal në Malishevë. 

Hykmete Bajrami

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, në regjistrin për deklarimin e pasurisë ka deklaruar një banesë në vlerë 180 mijë euro në pronësi të bashkëshortit, dhe një shtëpi tjetër dhe banesë, në pronësi të përbashkët, vlera e së cilave shkon në mbi 200 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, Bajrami ka deklaruar dy veturat e bashkëshortit. Njëra thotë kushton 20 mijë euro e tjetra 11 mijë.

Bajrami ka deklaruar se kanë rreth 6 mijë euro para të gatshme nëpër banka, derisa bashkëshorti i saj ka edhe një kredi në vlerë 80 mijë euro që e ka marrë për blerje të veturës dhe banesës.

Të hyrat e saj vjetore janë rreth 28 mijë euro që i merr si pagë nga Kuvendit, mëditje dhe pagë nga Fakulteti Ekonomik. Po kaq para merr edhe bashkëshorti i saj çdo vit.

Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka në pronësi shtëpi dhe një truall.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë për vitin 2018, ai ka deklaruar një shtëpi në vlerë 150 mijë euro dhe një truall që kushton 250 mijë euro. Të dyja thotë se i ka trashëguar.

Si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë Mazda që kushton 12 mijë euro që thotë ta ketë blerë me kursime dhe huamarrje, dhe veturën e bashkëshortes që kushton rreth 18 mijë euro.

Shuma e parave që ata kanë kursyer në banka sillet rreth 1 mijë e 200 euro.

Bashkëshortja e Vitisë ka një kredi në vlerë 20 mijë euro.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 7 mijë euro, derisa bashkëshortja e tij merr rreth 13 mijë euro çdo vit.

Lumir Abdixhiku

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka dy shtëpi në pronësi të përbashkët, vlera e të cilave sillet rreth 350 mijë euro, si dhe një tokë punë, që thotë se e ka trashëguar nga gjyshërit, që kushton 90 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar veturën e bashkëshortes, vlera e së cilës është 12 mijë euro.

Ai ka deklaruar se ka edhe aksione në vlerë 3 mijë e 700 euro, në Institutin Riinvest.

Ministri i Infrastrukturës bashkë më gruan e tij kanë para të gatshme në banka rreth 5 mijë euro, dhe një kredi në vlerë 80 mijë euro që e kanë marrë për blerjen e shtëpisë.

“Kredia prej 80.000 euro është marrë për periudhën 2014-2019.Vlera fillestare e kredisë ka qenë 80.000 euro. Vlera e mbetur në datën e deklarimit të pasurisë është 8040.00 euro”, thuhet në regjistrin e publikuar nga AKK’ja.

Të hyrat vjetore të Abdixhikut sillen rreth 40 mijë euro, që i merr si pagë nga Kuvendi i Kosovës dhe Instituti Riinvest, derisa bashkëshortja e tij merr 7 mijë e 200 euro.

Anton Quni

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka deklaruar se ka një banesë në vlerë 160 mijë euro, që thotë se e ka në pronësi të përbashkët. Përveç banesës, Quni ka edhe një shtëpi të përbashkët në vlerë 200 mijë euro, dhe një oborr që kushton 12 mijë euro.

Si pasuri të paluajtshme, Quni ka deklaruar se ka një BMË X5, që ka vlerë 7 mijë euro.

Vetë ai ka 3 mijë e 200 euro para të gatshme në banka, derisa fëmijët e tij kanë 4 mijë e 600 euro. Borxhe nuk ka.

Të hyrat vjetore të tij sillen rreth 27 mijë euro. 23 mijë e 198 euro është shuma e parave që ai  merr çdo vit nga Kuvendi i Kosovës, dhe rreth 3 mijë e 500 euro si pension të TMK’së.

Ndërkohë, të hyrat vjetore të fëmijëve të tij janë rreth 25 mijë euro. /Express/

*Ministrat e tjerë nuk e kanë deklaruar ende pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.