Deliu: Heqja e fotografisë së Thaçit nga Osmani është lojë fëmijërore

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ndaj Kryeparlamentares Vjosa Osmani për veprimin e saj të ndërrimit të fotografisë së Presidentit Hashim Thaçi me atë të ish Presidentit Ibrahim Rugova në kabinetin e saj.

“Logoja simbolike e presidentit Ibrahim Rugova me flamurin dardan, për të cilën nuk ekziston asnjë vendim, asnjë procesverbal dhe asnjë bazë ligjore që e mbështetë mbajtjen e saj, për hir të respektit dhe madhështisë së Hashim Thaçit, ende figuron në zyrën e tij”, është shprehur Deliu, transmeton Klan Kosova.

“Fotografia zyrtare e presidentit, të cilën obligohen ta vendosin të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në mjediset e tyre bazuar në Ligjin për Protokollin e Shtetit, sot u hoq nga kryeparlamentarja e re, Vjosa Osmani, e cila qysh në ditën e parë të punës bëri shkelje ligjore. Mandati i saj është udhëheqja e organit që nxjerr dhe miraton të gjitha ligjet, por siç edhe dëshmoi, vetë ajo është selektive në zbatimin e legjislacionit të Kosovës”.

Reklama e sponzorizuar

“Ky është një standard i ri për institucionet e Kosovës dhe një lojë tërësisht fëmijërore që nxjerr në pah më së shumti papjekurinë politike dhe teket personale të Vjosa Osmanit”.