Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka filluar një kampanjë për ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura. Ai thotë se Ligji aktual për Kontrollin e Duhanit duhet të fillojë të zbatohet dhe jo të shkelet edhe më tutje.
Basha është shprehur se çmimi i duhanit duhet të rritet dhe një pako cigare të kushtojë pesë euro. Deputeti Basha i ka thënë Gazetës Express të mërkurën se rritja e akcizës për duhanin do të ndikonte në uljen e duhanpirjes. Ai ka prezantuar edhe idenë që në ligjin për sigurime shëndetësore, personat që pinë duhan të paguajnë kosto më të lartë.
Ligji për Kontrollin e Duhanit është miratuar në Kuvend, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 7 maj 2013.
Neni 11 i këtij ligji ka ndaluar pirjen e duhanit në hapësirë publike, hapësirë të punës, mjete të transportit publik dhe në hapësira të hapura që janë nën administrimin e institucioneve edukativo-arsimore.
Ligji Për Kontrollin e Duhanit
Por, ligji për ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura nuk është respektuar dhe si rrjedhojë nuk ka pasur efektin e dëshiruar nga koha kur është miratuar në Kuvend.
Deputeti Dimal Basha i cili vjen nga qyteti i Ferizajit ka nisur një kampanjë në këtë qytet me pronarët e lokaleve që të gjithë të respektojnë ligjin njësoj dhe të ndalojnë pirjen në hapësirat e mbyllura. Shumëkush, zotimin që Basha po ua kërkon pronarëve të bizneseve, po e sheh edhe si shkelje të ligjit.
Sido që të jetë, deputeti i zgjedhur në legjislaturën e shtatë nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha ka thënë për Gazetën Express se ky ligj duhet të fillojë të zbatohet dhe jo të shkelet në vazhdimësi.
Basha ka deklaruar se do të inicojë nismë në Kuvendin e Kosovës së pari me rishikimin e Ligjit për Ndalimin e Duhanit në Hapësira të Mbyllura.
“Rreth kësaj çështje do të punoj drejt politikave që fillimisht të rriten kapacitetet e inspektoratit nëpër komuna, pastaj ngritjen e akcizës së duhanit dhe rishikimin e Ligjit për të gjetur mundësi që të kemi më shumë agjenci që ndihmojnë në zbatimin e këtij ligji”, ka thënë Basha.
Basha është shprehur se duhet të rritet akciza për produktin e duhanit si një nga mënyrat për uljen e duhanpirjes në shoqëri.
“Duhani është komoditet luks që dëmton shëndetin e secilit qytetar. Kështu është mëse e udhës që ne si të përzgjedhur të ndjekim politika që synojnë mirëqenien e tyre, ku në këtë rast rritja e akcizës do të ishte një nga shumë mënyrat që të ulim pirjen e duhanit në shoqërinë tonë”, është shprehur ai.
Deputeti nga Vetëvendosja tutje ka thënë se rritja e çmimit të duhanit mund të bëhet ngadalë ose me ngritje direkte.
“Ende s’kemi mbërri te pika se qysh ka me u bë saktë. Ka mundesi me u bë me përshkallëzim, ku çdo gjashtë muaj rritet, ose edhe ngritje direkte. Mirëpo unë kam dhënë qëndrim personal që duhet me u rritë, bile nuk e kisha pa problematike edhe me u bë 5 euro një pako” , tha ai.
Deputeti Basha ka thënë gjithashtu se duhanpirësit duhet të paguajnë kosto më të lartë nëse miratohet Ligji për Sigurime Shëndetësore.
“Më tej, varësisht se si evoluon, mirëpo në punimin e draft-Ligjit për Sigurime Shëndetësore, besoj se kontributi i atyre që konsumojnë duhan duhet të jetë më i lartë se i një personi që nuk konsumon duhan. Pra ata që duan të konsumojnë, duhet të paguajnë një kosto më të lartë se ata që nuk e pijnë duhanin”, është shprehur ai.
Dimal Basha i cili në zgjedhjet e fundit ka arritur të marrë 8844 vota ka thënë se këtë nismë e ka pasur në plan para se të fitojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ai është shprehur se kjo iniciativë duhet të gjejë zbatim kudo.
“Tani, kjo nismë ka zgjuar interes në gjithë Kosovën, kështu që unë besoj se me një kampanjë efektive, rritjen e kapaciteteve të inspektorëve dhe bashkëpunimin me akterët e involvuar, kjo iniciativë mund dhe duhet të gjej zbatim kudo”, ka thënë deputeti.