Dhjetë aktakuza ndaj personave të vdekur janë ngritur nga Prokuroria e Shtetit brenda dy viteve të fundit.
Një e tillë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, në muajin janar.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se kjo dukuri është vazhdimisht në rritje, raporton KTV.
Gëzim Shala nga ky institut, i cili monitoron punën e prokurorisë dhe gjyqësorit thotë se prokurorët nuk po tregojnë efikasitet në ngritjen e aktakuzave.
Sipas Shalës, këto raste flasin edhe për cilësinë e aktakuzave.
KTV-ja ka pyetur Prokurorinë e Shtetit lidhur me ngritjen e aktakuzave ndaj personave të vdekur, se si i arsyeton dhe në çfarë rrethanash po ngrihen këto aktakuza, por as pas më shumë se një jave nuk ka marrë përgjigjeje.
Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi, në nëntor të vitit të kaluar, kishte publikuar raportin “Prokurorët në Kosovë ngritin aktakuza ndaj të vdekurve”, në të cilin ishin paraqitur tetë raste nga monitorimi sistematik i sistemit të drejtësisë.