Grenell kundër reciprocitetit ndaj Serbisë

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

Reklama e sponzorizuar

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë taksën, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin.

“Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, shtoi ai.

Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.

Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë.