Emisari i Trumpit ka paralajmëruar së shpejti lajme të reja për Kosovën e Serbinë, megjithatë, siç deklaron Zyra e tij, këto nuk kanë të bëjnë me një marrëveshje të shpejtë finale, që diplomati amerikan mund ta ketë planifikuar. Megjithatë marsi do të sjellë zhvillime mes Kosovës e Serbisë, të cilat do të zënë vend në Berlin.
Nuk është më befasi që Richard Grenell, i emëruar i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, të sjellë lajmërime për ndonjë marrëveshje të arritur mes Kosovës e Serbisë.
Grenell, i cili është ambasador i SHBA’së në Gjermani, në një intervistë për Associated Press, ka paralajmëuar “lajme të reja” për zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Diplomati amerikan, që e ka përfunduar marrëveshjen për linjën ajrore, është në një fjalë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. Por, ai ka paralajmëruar edhe marrëveshje të reja për linjë hekurudhore Kosovë – Serbi.
Emisari i Trumpit konsiderohet se ka bërë progres në relacionet mes dy shteteve e edhe janë përmendur afate rekorde për arritjen e marrëveshjes finale. Marsi i këtij viti është një nga ta.
Zyra e Grenellit në Berlin ka thënë për Gazetën Express se emisari i Trumpit nuk u ka dhënë asnjë afat liderëve të Kosovës dhe Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen.
“Ambasadori Grenell nuk ka vënë ndonjë afat për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë. Përderisa dy palët vazhdojnë të bisedojnë, ai do të jetë i përfshirë”, ka thënë Dick Custin, këshilltar për Marrëdhëniet me Publikun, në a e SHBA’së në Berlin.
Zyra e Presidentit Hashim Thaçi, nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Express, rreth asaj se a i janë përmendur të parit të vendit afate për arritjen të marrëveshjes.
Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, në mars do të pritet në Berlin nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Mediat serbe, duke u thirrur në burime, kanë raportuar se Merkel pritet t’ia shpalosë Vuciqit planin për Kosovën, por shefi i shteti serb e ka mohuar këtë duke thënë se nuk do të ketë plan të tillë. Në Serbi siç dihet tashmë pritet të mbahen zgjedhjet.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i ka dhënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit urimin për zgjedhjen në krye të ekzekutivit, e bashkë me të edhe ftesën për ta vizituar Gjermaninë.
“I lumtur që personalisht t’ia dorëzojë Kryeministrit Albin Kurti, urimet dhe ftesën e kancelares gjermane, Angela Merkel. Populli i Kosovës e meriton të ecën përpara me Qeveri të mirë, luftim të korrupsionit, perspektivë ekonomike dhe përfundimisht, të vendos për dialogun”, shkroi të shtunën Heldt.
Marsi i vitit 2020, si muaj për arritjen e marrëveshjes finale, është përmendur edhe më parë.
Kryeparlamentarja e tanishme, Vjosa Osmani, gjatë muajit tetor pati deklaruar se ajo nuk beson që dy shtetet do të arrijnë që deri në mars të mbyllin negociatat me marrëveshje.
“Unë nuk besoj se marrëveshja finale në rrethanat aktuale mund të arrihet deri në marsin e viti 2020, por shoh që mund të arrihen marrëveshje për çështje specifike të temave më teknike, edhe pse ato kanë ndikim në marrëveshjen finale. Dialogu deri në mars të viti 2020 mund të trajtojë çështjen e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, mund të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me eliminimin e barrierave të lëvizjes së lirë, çështjet tregtare“, kishte deklaruar Osmani për Zërin e Amerikës, në tetor të vitit 2019.
Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë në nëntor të vitit 2018, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj i vuri tarifë produkteve serbe, fillimisht me 10 për qind, më pas me 100 për qind.
Qeveria e re është zotuar se do ta zëvendësojë tarifën 100 për qind me masa të reciprocitetit ndaj Serbisë