Finalizimi i marrëveshjes me Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe Lëvizjes Vetëvendosje, formoi qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, pas pothuajse 4 muajsh bisedime mes këtyre dy subjektesh, shkruan GazetaBlic.
Ndonëse dy partitë aludonin mbi çështjen e presidentit se e njëjta duhet të zgjidhet dhe të marrë një epilog, ajo si duket nuk do të diskutohet deri në përfundimin e mandatit të presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçit.
Deklaratat e Avdullah Hotit, se LDK-ja nuk heq dorë nga posti i presidentit dhe se i njëjti post i takon LDK-së, sot po i demanton kolegu i tij nga qeveria, zëvendëskryeministri nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
Abazi për GazetaBlic, thotë se kjo çështje mbetet pjesë e marrëveshjes dhe si e tillë nuk do të diskutohet deri në momentin që Thaçi përfundon mandatin e tij.
“Çështja e presidentit është çështje e cila është pjesë e marrëveshjes, andaj mbetet e tillë siç është e përshkruar në marrëveshjen mes VV-së dhe LDK-së. Ajo nuk diskutohet deri në momentin që presidenti aktual e kryen e mandatin e tij”, tha Abazi për GazetaBlic.
Në marrëveshjen e përpiluar nga LDK e Vetëvendosje, thuhet se dy kryetarët e dy subjekteve, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, do të dakordohen për çështjen e presidentit me një akt të veçantë.