Haxhiu anulon provimin e kontestuar të noterisë

Albulena Haxhiu-Ministre e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka anuluar provimin e kontestuar të noterisë, që ka mbetur në gjysmë nga qeveria e shkuar.

Në një konferencë për media ajo ka thënë se ka vendosur të mos vazhdojë me procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj. Sipas saj, ky proces nuk mund të shtyhet përpara për shkak të mungesës së ligjshmërisë dhe transparencës, raporton Koha Ditore.

Pika e dytë e këtij vendimit, sipas saj, precizon që Ministria e Drejtësisë t’ua kthejë paratë kandidatëve që i kanë paguar për këtë proces.

Reklama e sponzorizuar

Përveç kësaj, Haxhiu ka shfuqizuar vendimin e ish-ministrit për emërimin e komisionit për zgjedhjen e noterëve. Anëtarët e këtij komisioni kanë pasur mandat trevjeçar.

Në qershor të 2019-s, provimin me shkrim për noterë të rinj e kishin kaluar së paku 50 kandidatë që ishin të afërm me njerëzit në politikë. Pavarësisht reagimeve të shumta, ish-ministri Abelard Tahiri kishte vazhduar përpara me procesin.