Haziri i cilëson lajme të mira për Kosovën zhvillimet e sotme në Mynih

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, po i cilëson si lajme të mira, zhvillimet e sotme në Mynih të Gjermanisë ku me ndërmjetësimin e emisarit të Trump për dialogun u arritën dy marrëveshje parimore për ndërtimin e një hekurudhe Prishtinë-Beograd dhe një autostrade.

Haziri përmes një reagimi në twitter ka thënë se këto marrëveshje e shtyjnë përpara procesin e dialogut me shtetin fqinjë Serbinë.

Ai ka falënderuar ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell, duke e cilësuar si historik progresin e bërë.

Reklama e sponzorizuar

“Lajme të mira nga Berlini. Dy marrëveshje të tjera që shtyjnë përpara procesin e dialogut me fqinjët tanë. Faleminderit ambasadorit Grenell për progresin historik të bërë në zhvillimin ekonomik. Marrëveshja për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën do të lehtësoje lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Haziri, raporton Express.

Lidhur me marrëveshjet e arritura sot në Berlin ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës , Agim Veliu. Sipas tij çdo marrëveshje që çon në normalizim të raporteve Kosovë-Serbi është e mirëseardhur.