Hoti: Kosova do të përkujdeset për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raportet e auditimit

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovë​s, Avdullah Hoti, priti sot në takim Presidentin e Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Harib Saeed Al Amimi, të shoqëruar nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani.

Siç njofton kumtesa për media, presidenti Al Amimi uroi Zëvendëskryeministrin e parë Hoti dhe e informoi atë lidhur me Konferencën e parë ndërkombëtare e cila do të mbahet nesër nën patronatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës e cila do të trajtojë domethënien dhe rëndësinë e anëtarësimit në INTOSAI.

“Ai po ashtu ofroi mbështetjen e tij dhe të organizatës të cilën e udhëheq në rrugën që Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka nisur me rastin e anëtarësimit në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit”, thuhet në kumtesën nga ZKM.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa, Zëvendëskryeministri Hoti, thuhet në njoftim, falënderoi Al Amimi për përkrahjen e vazhdueshme gjatë tri viteve të fundit për anëtarësimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe siguroi atë se Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet dhe përkujdeset për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga raportet e auditimeve në mënyrë që qeverisja në sektorin publik të arrijë dhe të jetë në nivelin e duhur.