Identifikohen prindërit dhe dy djemtë e vrarë në Gjilan

Hanife Bllaca, Zeqir Bllaca, Fisnik Bllaca dhe Blerim Bllaca dyshohet se u qëlluan për vdekje nga Valdete Bllaca të martën në Gjilan.

Zeqir dhe Hanife Bllaca ishin prindërit e zyrtares policore, Valdete Bllaca, e cila rreth orës 13:00 qëlloi për vdekje edhe dy vëllezërit e saj: Fisnik dhe Blerim Bllacën, shkruan Insajderi.

Valdete Bllaca, e cila shërbente në Policinë e Kosovës, dyshohet se kreu katër vrasjet në shtëpinë e familjes, ku pastaj kreu vetëvrasje.

Reklama e sponzorizuar

Rastin e ka konfirmuar të martën edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

“Sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. “Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre.

Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.