KDI-ja thotë se për Rrugën e Dukagjinit s’është bërë analizë e fizibilitetit, sekretari i MI-së e thotë të kundërtën

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka mbajtur tryezë për diskutimin e planit për Rrugën e Dukagjinit, ku publikoi raportin “Rruga e Dukagjinit, Autostradë apo Zgjerim i Rrugës Ekzistuese”.

Të pranishëm ishin përfaqësues të shoqërisë civile e deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Diskutimi u zhvillua mbi raportin e hartuar nga KDI, mbi atë se rruga e dukagjinit duhet të ndërtohet si autostradë apo zgjerim i rrugës, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Fjolla Ukaj nga KDI ka thënë se është hulumtuar për mënyrën e rrjedhjes së këtij projekti nga zgjerim i rrugës në autostradë me një vendim të qeverisë së Haradinajt. Për këtë autostradë qysh në fillim është konstatuar se do të shpenzohen rreth 1 miliard euro që është sa gjysma e buxhetit të shtetit.

Ajo shtoi se është paraparë të ndërtohen 91 kilometra dhe që kushton 590 milionë euro e me shpronësime do të arrinte në 1 miliard.

“Është shqetësuese se nuk është bëre një analizë e fizibilitetit për përfitimet nga ky projekt”, tha ajo.

Betim Reçica sekretari në MI edhe në kohen e Pal Lekaj, ka demantuar KDI-në duke thënë se projekti i autostradës ka studimin e fizibilitetit.

“Projekti i autostradës së dukagjinit ka studim të fizibilitetit dhe është i planifikuar si duhet. Ajo çka është e mirë për publikun, Ministria, thekson se zgjerimi i rrugës do të bëhet në katër korsi. Janë shqyrtuar aspektet socioekonomike. Kostoja do të jetë rreth 607 milion. Ajo çka Ministria ka propozuar është që të ndahet në segmente që paraqet një zgjidhje ekonomike. Ministria ka reduktuar edhe koston e shpronësimit, synojmë që 30% të shfrytëzohet toka publike, ndërkaq 50% do të jetë private. Kjo autostradë paraqet siguri edhe për qytetarët dhe është sipas parametrave evropian. E nuk do te ketë impakt në buxhet nëse menaxhohet mirë”, tha ai.

Hajrullah Çeku nga VV e ka pyetur sekretarin e ministrisë, Reçica, nëse fjalimi i tij ishte në emër të Qeverisë e Ministrisë që e përfaqëson.

Reçica ka sqaruar se është opinioni i tij personal, jo i Ministrisë së Infrastrukturës.

Sipas MI numri i automjeteve që qarkullojnë në këtë rrugë është mbi 11 mijë vetura që e bënë këtë rrugë të nevojshme për katër korsi.

“Numri i vendbanimeve është i madh, që çon në nevojën e mbikalimeve dhe nënkalimeve që e rrisin koston e shpenzimeve etj. Nga autostrada “Arben Xhaferi”, Kosova ka pasur humbje prej 78 milionë eurove për shkak se shfrytëzimi i saj është më i ulët krahasuar me investimin. Investimet në infrastrukturë nuk kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik, as nuk e kanë rritur numrin e të punësuarve. Projektet kapitale duhet të përfshihen në dokumentet. Projektet ad hoc, mund të ndikojnë negativisht në fushat tjera strategjike, si pasojë e alokimit të mjeteve nga fushat tjera”, u tha në konferencë.

Ali Berisha deputet nga AAK në Kuvendin e Kosovës ka thënë që investimet në infrastrukturë në dhjetë vitet e fundit kanë qenë të domosdoshme.

“Zona e Dukagjinit ka mbetur pa u investuar edhe pse ka mbi 600 mijë banorë e ka shumë biznese. Studimet e tilla tani janë të banuara pasi që avancimi i ndërtimit të autostradës. Vendimi për ndërtim është marrë në 2018 dhe kanë ardhur për shkak të nevojave të qytetarëve, ka pasur aprovim të të gjitha komunave, debatet publike janë mbajtur dhe kanë qenë pro edhe buxheti është ndarë për këtë autoudhë. Këto diskutime janë të vonuara”, tha ai.

Berisha ka shtuar se zgjerimi nuk është i qëndrueshëm.

“Është mirë që tash janë vijat buxhetore, duhet të vazhdohet me autostradën tani, e jo fillimisht të zgjerohet rruga e pastaj të paraqitet nevoja për autostradë. Çdo cenim i projektit të Dukagjinit është i dëmshëm për banorët dhe për zhvillimin ekonomik të atij vendit”, përfundoi ai.