Mungesa e ofrimit të disa shërbimeve mjekësore brenda institucioneve publike shëndetësore në Kosovë, ka bërë që një numër i madh i pacientëve, ato shërbime t’i marrin jashtë vendit fal programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, duke bërë kështu që dhjetëra miliona euro të shpenzohen jashtë vendit.
Numri i atyre që kanë përfituar përkrahje financiare për t’u trajtuar jashtë vendit për vitin 2019 është 1436 pacientë, kurse vetëm në këtë fillim të vitit, financim nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës, kanë kërkuar 152 persona. Janë edhe mijëra qytetarë që trajtimet jashtë vendi i kryen duke i mbuluar vet shpenzimet.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi i cili tha për KosovaPress, se kryesisht këto trajtime mjekësore po kryen në Turqi, Maqedoni, Shqipëri dhe Gjermani.
Plakiqi ka thënë se në këtë fillim vit pacientët me kancer dhe sëmundje të syve prijnë për nga kërkesat për trajtim jashtë vendit.
“Prapë prijnë sëmundjet malinje, tumoret që janë numër 62 për t’u përcjell nga sëmundja e syve oftalmos për shkak se ende janë duke pranuar edhe mallra dhe pajisje që me i fut në funksion të plotë të gjitha shërbimet që kryhen në oftalmologji. Kemi pjesën e lëndimeve dhe helmimeve me raste të rënda që janë gjithsej 11. Ndërsa si numër deri në këtë moment që po flasim është 152 raste”, tha Plakiqi.
Derisa flet për numrin e madh të pacientëve që përfituan nga programi për trajtim shëndetësor jashtë institucioneve publike, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore tregon se për shkak të investimeve në Klinikën e Kardiologjisë kanë rënë dukshëm kërkesat e pacientëve me sëmundje të zemrës.
“Ne në vitin 2019 gjithsej kemi pasur 1436 raste që janë aprovuar, pak raste që janë refuzuar ka pasur për shembull që kanë qenë në shpërputhje me udhëzimin administrativ, ose ka pasur raste kur është refuzuar nga komisioni mjekësor ose nga bordi i trajtimeve. Vlen të theksohet që ne kemi një trend rënës në raste që vijnë aplikojnë tek ne veçanërisht në ato klinika që veç ka filluar ofrimi i shërbimit në QKUK. Rasti konkret është në Kardiologji, nëse e bëjmë një krahasim e shohim që në vitin 2017 sa raste ka pasur të referuara nga Kardiologjia e shohim rezultatin e këtij shërbimi në QKUK. Në vitin 2017 kemi gjithsej 464 që janë referuar me mendime konsulare në Fond, ndërsa në vitin 2019 janë gjithsej 45 raste”, theksoi drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Numri më i madh i pacientëve që në vitin 2019, kërkuan financim për trajtim jashtë vendit janë ata të Klinikës së Oftalmologjisë.
Kjo sipas drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, ka ndodhur për shkak të mungesës së aparaturës dhe mos përfshirjes së disa barnave në listën esenciale.
“Rastet me sëmundjet malinje, sëmundje të rënda, kemi raste të komplikuara ortopedike, madje kemi në onkologji kryesisht sëmundje malinje. Kemi Kirurgji Torakale, janë raste që nuk kanë mundësi ose nuk kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore ose nuk kanë pajisje apo kushte. Për këtë i referojnë pacientët që shërbimin ta marrin jashtë institucioneve publike. Vlen të theksohet që në vitin 2019 për nga numri i rasteve prinë Klinika e Oftalmologjisë“, u shpreh Plakiqi.
Ai madje thotë se 6 milionë euro sa është buxheti i ndarë për programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës është në shpërputhje me kërkesat e pacientëve.
E nga zyra për informim në SHSKUK, thonë se referimet jashtë vendit kryesisht për sëmundjet për të cilat nuk ofrohet tretman në klinikat e QKUK-së.
Kjo zyre në përgjigjen me shkrim për KosovaPress, bënë të ditur se rastet e transplanteve, leukemive akute kryesisht janë ato që referohen për shërim jashtë institucioneve publike.
“Në kuadër të klinikave të QKUK-së, ekzistojnë konsiliumet mjekësore që në rastet kur mjekimi nuk mund të ofrohet në klinika, atëherë referojnë përmes një formulari pacientin për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Referimi bëhet në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ku edhe pacienti dërgon forumalarin për aplikim për trajtim jashtë institucioneve publike. Kryesisht referimet bëhen për rastet e transplanteve, leukemive akute si raste të rënda, por edhe sëmundje për të cilat aktualisht nuk ofrohet tretman në klinikat e QKUK-së”, thuhej në shkresë.
Në anën tjetër, shoqata për të drejtat e pacientëve zgjidhje të vetme për të ulur numrin e kërkesave për trajtim jashtë vendit e sheh nevojën për funksionalizimin e Sigurimeve Shëndetësore.
Drejtori i kësaj shoqate, Besim Kodra thotë për KosovaPress, se në Kosovë ende nuk ka një listë të shërbimeve mjekësore që bënë të ditur se cilat shërbime mjekësore ofrohen në Kosovë e cilat jo.
Sipas tij, mungesa e efikasitet për disa shërbime mjekësore brenda institucioneve publike në Kosovë po ndodhë edhe për shkak të mungesës së barnave.
“Zgjidhje për këtë do ishte fillimi i implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Edhe kjo pastaj kishte me nxit Fondin me bë një listë të shërbimeve të cilat kryhen në Kosovë. Nuk ka ende një listë shërbimeve se çka kryhet në Kosovë e çka jo edhe kjo e bënë shumë të paqartë se kush duhet të financohet dhe kush jo…. Një problem tjetër për trajtimet jashtë vendit dhe me furnizimin me materiale dhe barna është për shkak se në Klinikën e Ortopedisë në shumë raste ne kemi parë që Klinika ka lëshuar një vërtetim për shkak se kjo sëmundje nuk trajtohet tek ne për shkak të mungesës së materialit dhe nëse do e kishim do e kryenim”, deklaroi Kodra.
Kërkesa të shumta për shërbim jashtë vendi ka pasur në edhe në viti 2018, ku brenda atij viti patën aplikuar 1 mijë e 432 persona, e u shpenzuan afro 9 milionë euro për këtë.