Kompania që kishte transaksione fiktive fitoi tenderin milionësh në ATK

Kompania “PBC Kosova”, nën pronësi të biznesmenit Gazmend Selmani, zhvilloi transaksione fiktive në vlerë prej dhjetëra mijëra eurove. ATK ishte vënë në dijeni për faturën fiktive të firmës së biznesmenit, por nuk ndërmori asnjëherë masa ndaj saj. Madje, institucioni publik e shpërbleu kompaninë me kontratë milionëshe.

Ani pse nuk është firmë fiktive, N.T.P “PBC Kosova”, nën pronësi të biznesmenit Gazmend Selmani, ndodhet në një listë të zezë të bizneseve që kanë përfituar financiarisht nga qarkullimet fiktive.

Firma, e cila merret me aktivitetet të telekomunikimit kabllor, ka zhvilluar transaksion fiktiv në vitin 2013.

Reklama e sponzorizuar

Bazuar në të dhënat që ka siguruar Gazeta Online Insajderi në Prokurorinë Speciale të Kosovës, gjatë hetimit të rastit të Safet Krasniqit, kompania “PBC Kosova” kishte përdorur firmën “Lesa Sh.p.k”, për të zhvilluar transaksione fiktive në vlerë prej dhjetëra mijëra eurove.

Transaksioni fiktiv, i zhvilluar më 12 dhjetor të vitit 2013, ka vlerë prej 95.208.84 euro. Ka numër të faturës 1212/13 dhe është zhvilluar në bashkëpunim me biznesin “Lesa Sh.p.k”.


Lista e ATK-së për “bizneset përfituese të transaksioneve”/ Insajderi.com

ATK kishte zbuluar faturën fiktive të firmës së Gazmend Selmanit, por nuk e kishte lajmëruar rastin e “PBC Kosova” dhe dhjetëra raste të tjera të dyshuara për transaksione fiktive.

Me rastin e identifikimit të këtij transaksioni fiktiv, Administrata Tatimore e Kosovës ka qenë e obliguar që firmës “PBC Kosova” t’i tërhiqte faturën fiktive, të vlefshme 95 mijë euro, dhe në bazë të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurave të ngrite kallëzim penal për kompaninë e Gazmend Selmanit.

Mirëpo, nga burime brenda Prokurorisë së Shtetit, Insajderi ka mësuar se kallëzimi penal ndaj firmës “PBC Kosova” nuk është deponuar kurrë.

I përfshirë në rastin e moslajmërimit nga ATK-ja të transaksioneve fiktive të firmës “PBC Kosova” dyshohet të jetë Safet Krasniqi, ish-ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Njësisë Tatimore dhe të Inteligjencës në ATK.

Krasniqi, i cili ishte hetuar për një kohë të gjatë nga Prokuroria Speciale para se t’i ngritej aktakuzë në muajin dhjetor, dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Për 6 vjet radhazi, Krasniqi dyshohet se u kishte siguruar kundërligjshëm dobi pasurore 120 bizneseve ekonomike dhe vetes. Sipas aktakuzës, Krasniqi për disa biznese nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet, vizitë, kontrolle, rikontrolle e as inicim të procedurave penale.

Pronari i “PBC Kosova”: Nuk jam në dijeni të faturës fiktive

Pronari i firmës “PBC Kosova”, Gazmend Selmani, ka mohuar çdo lloj përfshirje të tij apo kompanisë së tij, në zhvillimin e transaksioneve fiktive në vend.

Në një prononcim për Insajderin të mërkurën, Selmani është shprehur “nuk ka shancë” që firma e tij të jetë e përfshirë në transaksionin e vlefshëm 95 mijë euro, siç dëshmojnë dokumentet e ATK-së të siguruara nga gazeta.

“Jo, jo. Nuk ka shancë dhe për herë të parë po e dëgjoj”, ka thënë drejtori i firmës “PBC Kosova”.

Biznesmeni ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë veprime ligjore ndaj ATK-së për, siç ka nënkuptuar ai, përfshirjen e padrejtë në listën e bizneseve që kanë përfituar nga transaksionet fiktive.

Selmani ka nënvizuar se në vitin 2013 hetuesit tatimorë të ATK-së kishin zhvilluar një vizitë në firmën e tij, por sipas tij, “gjithçka ka rezultuar në rregull”.

“Iu kemi dhënë raportin e kontrollës së inspektorëve tatimorë dhe dëshmitë e pagesave të tatimeve”. Gjithçka ka qenë në rregull, konform dispozitave ligjore”, ka deklaruar pronari i “PBC Kosova”.

“PBC Kosova” u shpërblye me tender milionësh nga ATK-ja

E amnistuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, e cila nuk deponoi asnjëherë kallëzim penal për faturën fiktive të firmës, “PBC Kosova” megjithatë u shpërblye me kontratë të majme nga ATK-ja më 2020.

Më 31 janar, në selinë qendrore të ATK-së u nënshkrua kontrata e vlefshme prej afro 10 milionë eurove për “modernizimin e sistemit të teknologjisë informative” të kësaj administrate shtetërore.

Firma e biznesmenit Selmani është pjesë e konsorciumit që fitoi këtë tender. Mbi dyshimet që rëndonin mbi këtë kontratë ka raportuar Insajderi prej vitit të kaluar. E gjithë procedura e tenderit ishte e dyshimtë.

Pjesë e konsorciumit të shpërblyer nga ATK-ja, përveç “PBC Kosova”, janë edhe kompania nga Armenia “IUNetworks”, si dhe dy firma të tjera vendore: “Tax Accounting Group” dhe “Mikrobiz”.

Gjashtë konsorciume aplikuan në këtë tender, të hapur nga ATK-ja më 2017. Konsorcium fitues u shpall ai i përbërë nga “PBC Kosova” dhe “IUNetworks”, ndonëse oferta e një tjetër grupi kompanish kishte çmim më të ulët sesa oferta e konsorciumit ku bënte pjesë “PBC Kosova” e Gazmend Selmanit.

Me rastin e shpërblimit me këtë kontratë, ATK-ja amnistoi sërish firmën “PBC Kosova”.

Në një përgjigje me shkrim dhënë Gazetës Insajderin në dhjetorin e vitit të kaluar, institucioni i tatimeve shprehej i bindur në përzgjedhjen e kompanive të duhura për tenderin në fjalë. Tha se “PBC Kosova” dhe firmat e tjera që përbënin konsorciumin fitues, janë vlerësuar si firma të “përgjegjshme”.

“Autoriteti kontraktues ka shpërblyer me njoftim për dhënie të kontratës tenderin e përgjegjshëm me çmimin më të ulët, duke respektuar kriterin për dhënie të kontratës”, kishte thënë në dhjetor Zyra për Komunikim e ATK-së, për Insajderin. /Insajderi/