Komuna e Vushtrrisë, e cila udhëhiqet nga Xhafer Tahiri, i ka dhënë tender në vlerë prej 120 mijë euro kompanisë “Toni” nga Drenasi për mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik në qytet dhe fshatra, ndonëse kjo e fundit po vlerësohet se ka konkurruar me çmime manipulative, raporton portali “Front Online”.
Kjo u bë e ditur në seancën e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ku eksperti shqyrtues i OSHP-së, Ilaz Papaj, ka bërë të ditur se operatori i rekomanduar për kontratë nga Komuna e Vushtrrisë, kompania “Toni”, nuk mund të implementoj në asnjë mënyrë kontratën për shkak të çmimeve minimale të ofruara, të cilat janë dukshëm nën vlerën e tregut.
Sipas tij, kjo kompani ka ofertuar në tender me një çmim prej 1 euro për porosinë dhe montimin e shtyllës së metalit prej 9 metra gjatësi, siguresa 16 A, kabëll lidhës 3×2.5 m dhe material tjetër i nevojshëm.
“Për këtë pozicion operatori i rekomanduar për kontratë ka ofruar një çmim prej 1 euro, përderisa ky pozicion mund të ofrohet me një çmim minimal prej 250 euro. Si ka mundësi të kryhet një pozicion i tillë me 1 euro, si mund të arsyetohen shpenzimet që duhet të bëhen për këtë pune”, ka pyetur zyrtarët e Komunës së Vushtrrisë eksperti shqyrtues, Ilaz Papaj.
Sipas tij, çmimet e tilla janë absurde dhe manipulative dhe OSHP-ja në shumë raste as që i ka marrë për bazë.
“Ky operator duhet të shpallet i papërgjegjshëm dhe ky është një element që na bënë të dyshojmë se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë ka pasur informata të brendshme se çka duhet të realizohet, apo se çka duhet të porositet më shumë në këtë aktivitet të prokurimit, pasi që pozicionet që përdoren më së shumti në tender kanë çmime shumë të larta”, ka shkruar Papaj në raportin e datës 3 shkurt 2020.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë ankuese në OSHP “Elektro”, Ekrem Salihu, ka thënë se pajtohen me raportin e ekspertit shqyrtues.
Ai ka shtuar se kanë bërë verifikimin e çmimeve të tregut nga të cilat del se kompania e rekomanduar për kontratë ka konkurruar me çmime shumë të ulëta dhe siç ka thënë ai, manipulative.
“Operatori i rekomandur për kontratë ka ofruar çmime nga 10 cent, 1 euro dhe 2 euro, ndërsa prodhuesit na kanë ofruar çmime ku këta artikuj në treg të lirë varirojnë nga 150 euro deri 200 euro”, ka thënë ai.
Por, përfaqësuesi i Komunës së Vushtrrisë, Hyda Dallku, ka thënë se nuk janë pajtuar me ekspertizën e ekspertit shqyrtues, pasi që, sipas tij, tre operatorët ekonomik kanë konkurruar për këtë aktivitet të prokurimit me çmime jonormalisht të ulëta.
Sipas tij, operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë “Toni” ka konkurruar me çmime të ulëta, mirëpo autoriteti kontraktues ka kërkuar rritjen e sigurimit të ekzekutimit nga 10 në 25 për qind, kërkesë kjo që është pranuar.
Poashtu i njejti operator, siç ka thënë ai, ka pasur kontrata me autoritetin kontraktues gjatë tri viteve të fundit, me ç’rast nuk kanë pasur vërejtje gjatë ekzekutimit të kontratës, andaj për shkak të këtij elementi është rekomanduar për nënshkrim të kontratës.
Sipas tij, edhe operatori ekonomik ankues “Elektro” ka ofertuar me çmime jonormalisht të ulëta.