Përgjatë dymbëdhjetë vjetëve të pavarësisë, rritja ekonomike në Kosovë mesatarisht ka qenë rreth 4 për qind, e cila vlerësohet si e pamjaftueshme për të zbutur papunësinë dhe problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballen qytetarët.
Papunësia dhe varfëria, janë dy nga problemet më të mëdha me të cilat po përcillet Kosovën gjatë këtyre viteve.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë, gjatë vitit 2019, ishte 29.6 për qind. Nga mbi 1.2 milion qytetarë të Kosovës, të cilët llogaritet se kanë moshën për punë, të punësuar janë rreth 350 mijë qytetarë. Ndërkaq, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kosova kishte filluar vitin e pavarësisë, më 2008, me një rritje ekonomike prej mbi 5 për qind, por më pas, këtë shkallë të rritjes ekonomike nuk e kishte arritur më.
Rritja ekonomike në Kosovë, sipas raporteve vjetore të BQK-së, kryesisht është gjeneruar nga rritja e konsumit privat dhe investimeve publike.
Investimet e huaja direkte, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kanë shënuar rënie viteve të fundit. Derisa në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, këto investimet ishin në vlerë prej mbi 350 milionë euro, në vitet e fundit këto investime nuk arrijnë në vlerën prej 300 milionë euro.
Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë kishte filluar në vitin 2003. Procesi i privatizimit çdo herë është pasuar me kritika, sidomos mënyra e privatizimit me metodën e spin-off-it special, mënyrë kjo me të cilën janë privatizuar, konkretisht ndërmarrjet që janë vlerësuar më të mëdha, të cilat nuk është dashur ta ndërrojnë destinimin.
Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani ka bërë shitjen e rreth 2000 aseteve dhe ka të grumbulluara në fond e privatizimit nga shitja e këtyre e aseteve rreth 750 milionë euro.