Organizatat joqeveritare (OJQ), të cilat funksionojnë në Kosovë, kanë arritur që të përfitojnë fonde të shumta nga institucionet publike, disa në mospërputhje me kriteret për financim e disa të tjera edhe fonde të shumfishta për të njëjtin projekt nga dy e më shumë institucione, duke mos u “vënë re” kështu fare.
Disa nga institucionet e mëdha shtetërore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale(MPMS), Ministria për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor (MMPH), komuna e Prishtinës, komuna e Rahovecit dhe komuna e Prizrenit, kanë dështuar me kontrollet e brendshme lidhur me përcjelljen e financimeve të dyfishta për OJQ-të, duke mundësuar kështu që një OJQ të përfitojë prej të gjitha institucioneve të përmendura fonde.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për “Transparencën dhe llogaridhënien në procesin e financimit të organizatave jo-qeveritare” gjatë vitit 2019, ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me shpërndarjet e fondeve publike për OJQ-të, si dhe për financimet e dyfishta të projekteve të njëjta nga më shumë se një institucion publik.
Gjashtë projekte nga OJQ-të kishin përfituar fonde mijëra euroshe më 2019, nga komuna e Prishtinës, nga MKRS-ja, plus edhe nga disa prej institucioneve tjera publike për të njëjtin projekt, përcjell Buletini Ekonomik.
“Gjashtë projektet e paraqitura në tabelë kanë përfituar fonde në KP dhe MKRS edhe nëpër institucionet tjera publike për të njëjtin projekt. Lidhur me këtë shohim se në këto dy institucione kanë dështuar kontrollet e brendshme lidhur me përcjelljen e financimeve të dyfishta”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Projekti “Meeting of style” ishte financuar nga MKRS-ja me 8 mijë e 500 euro dhe nga Komuna e Prishtinës me 8 mijë euro tjera, kurse projekti “Hasi Jehon”, 10 mijë euro kishte marrë nga Minsitria e Kulturës (MKRS), dhe 5 mijë euro nga komuna e Prizrenit.
“Autostrada Biennale” gjatë vitit 2019 ishte financuar nga tri institucione publike me fonde, njërin e kishte marrë nga MKRS-ja në vlerë të 7 mijë eurove, tjetrin nga komuna e Prishtinës prej 3 mijë e 800 eurove, dhe 5 mijë euro nga komuna e Prizrenit.
Gjithashtu edhe “Hardhfest” kishte përfituar tri fonde, nga komuna e Rahovecit -20 mijë euro, nga Ministria për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor -5 mijë e 600 euro dhe 4 mijë euro tjera nga MKRS-ja.
“Muzeu Etnografik në fshatin Kukaj” kishte përfituar gjithsej 12 mijë e 950 euro nga institucionet publike, 9 mijë e 950 euro nga MKRS-ja dhe 3 mijë euro nga komuna e Prishtinës. Ndërsa projekti për “Strehimin dhe përkujdesjen për gra, vajza, fëmijë dhe viktima të dhunës në familje”, kishte pranuar 30 mijë euro nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe 6 mijë e 200 euro nga komuna e Prishtinës.
Ndërkohë, sipas rregulloreve për financim nga institucionet, IP-të gjatë procesit të financimit të OJQ-ve duhet të sigurojnë që OJQ-të të mos kenë pranuar mjete nga financues tjerë publik për të njëjtin projekt. Po ashtu, Auditori thekson se të njëjtat duhet të kujdesen që të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit dhe IP-së. Në raste të tilla, komisionet e vlerësimit nuk kishin bërë përpjekje që të sigurojnë se OJQ-të nuk përfitojnë fonde nga IP-të tjera.
Sipas ZKA-së, në njërin rast, në deklaratën e financimit të dyfishtë e plotësuar nga OJQ-ja përfituese me projektin në fushën e kulturës me titull “Hasi Jehon” në vlerë prej 10,000 euro, OJQ-ja kishte deklaruar se për të njëjtin projekt do të përfitojnë fonde edhe në IP tjera dhe ishte përkrahur nga komisioni. OJQ-ja tjetër me projektin “Meeting of Styles” dhe OJQ-ja me projektin “Strehim dhe përkujdesje për gra, vajza dhe fëmijë, viktima të dhunës në familje” kishin deklaruar se do të përfitojnë fonde edhe nga IP-të tjera, mirëpo përkundër kësaj komisioni vlerësues nuk kishte marrë hapa konkret për të ndaluar këtë. Kjo sipas Auditorit tregon se nuk ka një mekanizëm i cili në veçanti përcjellë dhe identifikon OJQ-të të cilat mund të përfitojnë potencialisht fonde nga më shumë se një IP për të njëjtin projekt.
Pavarësisht kësaj, as komisionet vlerësuese në Komunën e Prishtinës nuk kishin bërë përpjekje që të ndërpresin financimet e dyfishta edhe pse ishin të njoftuar përmes deklaratave të financimeve të dyfishta.
Për më tepër, gjatë takimit të ZKA-së me Kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, ai kishte pohuar se për disa projekte të caktuara është e pamundur që të realizohen me vetëm një burim të financimit pasi sipas tij, fondet vetëm nga një burim nuk janë të mjaftueshme për realizmin e projekteve.
Në anën tjetër, Auditori thotë se përfitimi i fondeve të OJQ-ve nga më shumë se një burim i financimit lë hapësirë për keqpërdorim të fondeve publike dhe u pamundëson organizatave të tjera që të përfitojnë fonde. Rrjedhimisht, kjo qasje pamundëson realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët.
“Mungesa e mekanizmave përcjellës për këtë dhe mos angazhimi i duhur i komisioneve vlerësuese për të penguar financimet e dyfishta, ka bërë që OJQ-të të përfitojnë fonde nga më shumë se një burim i financimit publik”, thonë tutje nga ZKA. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/












