Sot pritet të jetë ditë shumë e zënë për LDK-në dhe VV-në, që e kanë afatin e fundit për të arritur marrëveshje për koalicion, para seancës së 3 shkurtit.
Në fakt, që nga mëngjesi i hershëm, ashtu siç konfirmuan edhe zyrtarët e të dy partive, këto dy subjekte pritet të jenë në kontakt të vazhdueshëm për bashkërendimin e veprimeve në drejtim të marrëveshjes, shkruan lajmi.net.
Para arritjes së marrëveshjes, të dy partitë do të mbledhin Këshillet e Përgjithshme, aty ku do të prezentohet marrëveshja në parim, ndërkaq që ky organ pritet ta votojë formalisht atë.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do t’i paraprijë edhe takimit final, ku nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve, pritet të nënshkruhet edhe përfundimisht marrëveshja mes dy partive.
Në fakt, ndër ngjarjet kryesore të ditës pritet të jetë edhe paralajmërimi për dorëheqje i Glauk Konjufcës, në kuadër të propozimit të LDK-së që të arrihet marrëveshja.
Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së pritet të fillojë në orën 13:00, ndërkaq që nuk dihet se kur do ta bëj Vetëvendosja këtë.
Në praktikë, marrëveshja hyn në fuqi të hënën kur edhe do të mbahet seanca për votimin e përbërjes së re të Qeverisë.
Bashkë me komunitetet pakicë, VV dhe LDK aktualisht e kanë shumicën parlamentare të nevojshme.