Kur mund ta marrë Kosova liberalizimin e vizave?

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga BE-ja heqjen e vizave për Kosovën si vlerësim për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe, mirëpo BE-ja, ndonëse ka mbështetur rrëzimin e taksës, ende nuk është deklaruar për vizat. Ndërkohë opozita ka kundërshtuar kushtëzimin e Kurtit, duke thënë se veprime të tilla e dëmtojnë procesin.

Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka thënë për “Zërin” se ka mundësi që Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian të marrin vendime përkatëse për liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit, që do të mbahet në maj, mirëpo ai ka thënë se kjo s’mund të jetë shpresë për Kosovën nëse ajo nuk i ka kryer detyrat, që i janë dhënë si kushtëzim për liberalizimin e vizave.

“Ekziston mundësia që çështja e liberalizimit të vizave të përkrahet nga dy presidencat gjatë vitit 2020 (Kroacia dhe Gjermania). Sidoqoftë, Kosova ndërkohë duhet t’i përfundojë detyrat e shtëpisë. Samiti i Zagrebit do të mbahet në muajin maj. Teorikisht është e mundur që para Samitit Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian të marrin vendime përkatëse për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Një vendim i tillë, sipas tij, do të kërkonte progres të ndjeshëm në dialogun me Serbinë dhe në punën e Kosovës për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kjo do të kërkonte progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe në fushën e sundimit të ligjit”.

Siç ka shpjeguar Shasha, Këshilli i BE-së, përgjegjës për liberalizimin e vizave për Kosovën, respektivisht Këshilli për Punë të Brendshme, do të takohet në formatin formal vendimmarrës katër herë gjatë këtij viti.

Po ashtu, siç tha ai, Këshilli do të këtë edhe takime joformale dhe takimi i parë formal është më 12 mars 2020. Mirëpo, sipas tij, deri më sot nuk ka indikacione se liberalizimi vizave për Kosovën do të jetë pjesë e agjendës.