Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tashmë ka hyrë në javën e tretë të qeverisjes. Gjatë kësaj periudhe ai ka hasur në disa vështirësi, siç ishte rasti me nënshkrimin e dy marrëveshjeve në Gjermani ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dhe duket se kjo e ka futur paska në siklet Kurtin.
Pas 15 ditësh në zyrën e kryeministrit, Kurti dje u ka dërguar një letër të shkurtër të gjithë ministrave të kabinetit të tij.
Në letrën që e ka siguruar Ballkani.info, Kurti kërkon nga ministrat skanim të gjendjes në dikastarët që i drejtojnë.
“Ashtu siç tashmë ju njoftova në mbledhjen e fundit të Qeverisë, po ju shkruaj për të ju kërkuar një skanim të Ministrisë suaj. Pra, ju lutem të bëni një raport të gjenfjes së Ministrisë përkatëse, duke përfshirë projektet, proceset, objektivat dhe sfidat. Duhet të dimë gjendjen aktuale të institucioneve siç i keni gjetur, që të jemi më efikas në funksionimin tonë”, thuhet në letrën e siguruar nga Ballkani.info.
Sipas kësaj letre, Kurti pret që ky skanim të përfundojë brenda gjashtë ditësh.
“Pasi që ta përfundoni skanimin, ju lutem ta dorëzoni në zyrën time deri të hnën më 24 shkurt 2020”, thuhet në përfundim të letrës.