Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se ka tejkaluar problemin që kishte pasur dikur me diplomatin amerikan, Philip T. Reeker, i cili dikur e kishte quajtur liderin e VV’sw si palaço.
Kurti ka folur fjalw të mira për ushtruesin e detyrës së ndihmës Sekretarit te Shtetit për Evrope dhe Euro-Azi, që po merret edhe me raportet Kosovë-Serbi.
“Ishte kënaqësi të takoj diplomatin amerikan Philip T. Reeker, i cili e njeh mjaft mirë Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, unë takova edhe deputetët e Bundestagut Peter Beyer dhe Christian Schmidt. Në Konferencën për Siguri në Mynih, unë nënvizova që Kosova tani ka nevojë për këshilla dhe ndihmë që të sigurojë vende pune dhe drejtësi”, ka njoftuar Kurti, në Twitter.
Më 2013, kur ishte miratuar Marrëveshja Kosovë-Serbi, Vetëvendosje kishte kundërshtuar këtë pajtim të dy palëve. Kishin organizuar protesta duke lënduar ambasadoren e SHBA’së në Prishtinë.
Në atë kohë, Philip T. Reeker, i ishte drejtuar Kurti me epitetin e palaços. Kjo fjalë ka kuptim e njeriut qesharak, i ultë dhe pa karakter.
“Nuk kam agjendë personale. Unë jam diplomat. E përfaqësoj Sekretarin dhe Presidentin. Ambasadorja Jacobson është përfaqësuesja personale e Presidentit të SHBA’së në Republikën e Kosovës. Palaçot që duan të luajnë dhe që të jenë të dhunshëm, duhet të mendojnë dy herë se çfarë po i bëjnë pjesës tjetër të vendit”, kishte thënë Reeker.
Një ditë më parë, Gazeta Express, raporto se Albin Kurtin kanë refuzuar ta takojnë Mike Pompeo, sekretar amerikan i shtetit, dhe Richard Grenell, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani.
Përderisa Kryeministri Kurti dhe Shefi i Diplomacisë Konjufca endeshin nëpër aeroporte, Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuqiç, u shfaqën në ceremoninë e nënshkrimit të dy marrëveshjeve të radhës, nën ndërmjetësimin e Ambasadorit Grenell.
Formalisht, nga Qeveria aty ishin dy shërbyes civilë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Dhe Albin Kurti duket se nuk dinte asgjë për këtë marrëveshje.
Ai heshti deri në mbrëmje, por në Konferencën e Sigurisë në Munich, ai i kundërshtoi ato, kurse publikisht këtë e bëri në mbrëmje përmes një postimi në Facebook dhe me gjuhë të kujdesshme, deri diku.
“Sot në Munich janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër, as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, u shpreh Kurti.
E kjo nuk u ka pëlqyer aspak amerikanëve.
Burime të larta të Gazetës Express nga Konferenca e Sigurisë në Munich thanë se qëndrimi prolongues i Kurtit për tarifën e tash edhe kundërshtimi i dy marrëveshjeve të arritura me Serbinë janë të papranueshme për Uashingtonin.
Si rrjedhojë, këtë pakënaqësi ata ia kanë bërë të qartë Kryeministrit Kosovar dje – menjëherë.
Sipas të njëjtave burime, Kurti ka kërkuar dje që të takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, dhe ambasadorin Richard Grenell, por përgjigjja e tyre ka qenë e prerë.