Mbrëmjen e së mërkurës, një llogari e rreme në Twitter në emër të ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, dha një njoftim mbi vdekjen e diplomatit Martti Ahtisari.
Ky njoftim pastaj u bë lajm në shumë media në në Kosovë, por ai është demantuar nga kryediplomati Konjufca, duke treguar se llogaria në Twitter me emrin e tij është e rrejshme, raporton KTV-ja.
Por, Konjufca nuk është i vetmi ministër që është bërë pre e një sulmi të tillë.
Javë më parë edhe ministres së Kulturës, Vlora Dumoshit, i është hapur llogari e tillë në Twitter.
Në të ishte postuar një lajm i rrejshëm për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.
Dumoshi ka thënë që do ta denoncojë këtë rast në polici, ndërkaq, Glauk Konjufca gjatë së enjtes nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Sipas njohësit të sigurisë kibernetike, Policia e Kosovës duhet vetë të fillojë hetime, kur në raste të tilla përfshihen figura publike.
Sipas Dolit, dy rastet e ministrave janë të ngjashme e mund të jenë nga personat e njëjtë.
Ai shton se në përgjithësi profilet zyrtare të politikanëve, por edhe ueb faqet e institucioneve publike nuk janë aspak të sigurta.
Këto raste, sipas Flutura Kusarit, kanë ndikuar që mediat pastaj të prodhojnë lajme të rrejshme.
Ajo shton se megjithatë, mediat duhet të marrin përgjegjësi për gjithçka që postojnë dhe të konfirmojnë informatat para publikimit.
Kohavisioni ka kërkuar sqarim mbi masat që duhet të marrë Agjencia e Shoqërisë së Informacionit mbi këto keqpërdorime të emrave të zyrtarëve publikë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje gjatë së enjtes.
Përgjigje për hetimin eventual të hapjes së profileve të rrejshme për ministrat e Qeverisë, nuk ka dhënë as Policia e Kosovës.