Nepotizëm, kritere të dyfishta dhe jotransparencë në emërimin e noterëve të rinj

E para e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me të ardhur në pushtet ka paralajmëruar se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet e marra nga ish-ministri i këtij Dikasteri Abelard Tahiri, duke përshirë këtu edhe emërimin e 79 noterëve për 35 komuna të Kosovës.

Haxhiu të martën në një deklaratë për medie paralajmëroi se ky proces do të anulohet brenda kësaj jave. “Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë na pret ndoshta brenda kësaj jave një vendim për anulimin e procesit të noterisë. Siç e dini, në këtë proces ka humbur besimi për faktin se kanë arritur ta kalojnë provimin njerëz, të cilët kanë pasur lidhje familjare e partiake me pushtetin e kaluar. Qëllimi ynë është që ky proces të jetë transparent e i ligjshëm dhe kështu kemi vendosur ta kthejmë në pikën zero”, ka thënë Haxhiu, shkruan sot gazeta Zëri.

Lidhur me këtë Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një deklaratë për “Zërin” ka potencuar se procedura për zgjedhjen e noterëve të rinj deri në këtë fazë është përshkuar me parregullsi të shumta dhe me mungesë të standardeve minimale të transparencës.

Reklama e sponzorizuar

“Procesi i emërimit të noterëve brenda Ministrisë së Drejtësisë ka përfunduar, përjashtimisht nënshkrimit të vendimit nga ana e ministrit të Drejtësisë për emërimin e noterëve dhe betimi i noterëve të rinj te kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. IKD-ja mbetet prapa deklarimeve të mëhershme se procedura për zgjedhjen e noterëve të rinj deri në këtë fazë është përshkuar me parregullsi të shumta dhe me mungesë të standardeve minimale të transparencës”, ka thënë ai.


Po ashtu sipas Shalës, i tërë procesi është zhvilluar mbi bazën e konfliktit të interesit, në kundërshtim me ligjet në fuqi. “Për më tepër, krahas dëshmive që janë publikuar në medie, ky proces është parë vazhdimisht nga publiku si proces i zhvilluar mbi bazën e konfliktit të interesit. Neni 6 i Ligjit Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik përcakton se “Konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare”, ka thënë Shala.


Ndër problemet e evidentuara sipas IKD-së ishte edhe moslegjitimiteti i Ministrisë së Drejtësisë në qeverinë “Haradinaj” për ta proceduar tutje këtë proces. Rrjedhimisht sipas Shalës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duhet ta vlerësojë detajisht ligjshmërinë dhe legjitimitetin e tërë këtij procesi dhe mbi bazën e gjetjeve mbi këtë proces të marrë edhe vendimin meritor.


Në anën tjetër njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se e mirëpret vendimin e qeverisë “Kurti” për rikthim në pikën zero të procesit të noterëve, pasi ky proces duhet të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

“Emërimi i noterëve duhet të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore. Gjatë procesit të fundit për emërimin e noterëve është konstatuar nga burime të ndryshme se ka pasur një proces jotransparent dhe të njëanshëm për emërimin e tyre. Prandaj mendoj se parimisht çdo vendim që nuk është marrë brenda mandatit qeverisës duhet të rikthehet përsëri dhe aq më tepër kur është konstatuar se në këto procese ka pasur parregullsi dhe nepotizëm gjatë inicimit të tyre.

Vlerësoj se është një veprim legjitim i qeverisë së re, përkatësisht ministrisë së re”, ka theksuar Baraliu, duke e quajtur legjitim vendimin për rikthim në pikën zero të procesit të emërimit të noterëve.