Opozita nuk do që Lajçaku, krahas bisedimeve Kosovë-Serbi, të jetë emisar edhe për Bosnjën

Partitë opozitare nuk janë kundër emërimit të sllovakut Miroslav Lajçak si emisar në dialogun Kosovë-Serbi, edhe pse ai vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Derisa Qeveria nuk është deklaruar, opozita e sheh problematike mundësinë që sllovakut t’i jepet një portofol më i gjerë, sesa negociatat ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Anëtari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nga Partia Demokratike, Enver Hoxhaj, thotë se për Kosovën dhe vende të caktuara të Bashkimit Evropian, shqetësim duhet të jetë titulli, e jo emri i Lajçakut.

Edhe Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë se nuk paraqet problem fakti se shteti i Lajçakut nuk e ka njohur Kosovën.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë ditës, KOHA nuk ka arritur të marrë qëndrim edhe prej Qeverisë, përkitazi me emërimin e Lajçakut si emisar special.

Por, nga disa burime diplomatike në Bruksel, “Koha Ditore” ka mësuar se është pothuajse punë e kryer që Miroslav Lajçak do të jetë përfaqësues i lartë për dialog Kosovë-Serbi. E disa vende kanë pasur edhe më parë rezerva ndaj tij.

Sllovakia është një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, ashtu sikurse Spanja, nga vjen Josep Borell, i cili në dhjetor u emërua shef i diplomacisë së Bashkimit Evropian.

Analisti gjerman në Këshillin për Politikë dhe Demokratizim në Berlin, Bodo Weber në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka thënë se Lajçak është njeriu i gabuar për ta udhëhequr dialogun Kosovë-Serbi në emër të Brukselit, dhe atë për shumë arsye. Përveç faktit se Lajçaku vjen nga shteti që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, sipas Weberit, atij i faturohet edhe një histori dështimesh politike në Ballkan.

“Ai hyri në një konflikt me të fortin e Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, si pjesë e një politike të keqprojektuar nga BE-ja, duke përfunduar me tërheqje fyese. Kjo ngjall frikën se Lajčák si përfaqësues i BE-së për gjithë rajonin, mund të jetë i prirë të tregtojë diçka për Bosnjë-Hercegovinën në kurriz të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi”, ka thënë Ëeber.

Ai shtoi se, para emërimit të një emisari, Joseph Borelli duhet ta rivendosë rolin udhëheqës të Brukselit në dialog dhe t’i definojë politikat sipas të cilave do të udhëhiqet ky proces.

Përveç Brukselit, rol në fazën e ardhshme të dialogut do të kenë edhe Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump tashmë e ka emëruar njeriun e tij të besueshëm Ricahrd Grenell, përfaqësues special për negociata.