Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka organizuar tryezën me temë “Publikimi i raportit të monitorimit të NARIC Kosova: Sfidat e procesit të njohjes së diplomave”.
Udhëheqësja e Divizionit për Njohje dhe Barasvlerë të Diplomave, Kumrije Gagica, tha se sfidë mbetet mosnjohja e diplomave nga shtete që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Ajo më tej ka sqaruar se njohja e diplomave rezulton me vonesa me muaj, por ka vonesa edhe me vjet.
“Është e vërtetë se qendra NARIC e ka pas një status pak ma ndryshe, ka funksionuar si qendër në kuadër të departamentit të arsimit të lartë dhe ka pasur ndryshime të mëdha të stafit shumë shpesh dhe kjo ka ditë me shkaktuar probleme të ndryshme ndërsa që nga fundi i vitit 2018, NARIC-u me rregulloren e re të MAShT-it është një qendër e pavarur. Është e dhimbshme me përmendur, por një numër i madh i problemeve na vijnë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kryesisht prej institucioneve private, ku shpesh herë përveç rezulton me vonesa me muaj ka vonesa edhe me vite”, ka thënë ajo.
Liridona Ademi, prezantuese e hulumtimit, ka thënë se qendra NARIC ka marrë 924 vendime për njohje të diplomave, ku 64 janë nga Shqipëria, 209 janë nga Maqedonia e Veriut dhe 212 nga vendet tjera, raporton EO.
“Qendra NARIC gjatë kësaj periudhë ka marrë gjithsej 970 vendime prej tyre ka njohur katër diploma të nivelit të pestë, 324 diploma të nivelit bachellor ku prej tyre katër nuk kanë njohur 425 diploma ka njohur të nivelit master dhe dy të tilla nuk ka njohur si dhe 207 diploma të doktoratës. Pra gjithsej NARIC ka njohur 924 diploma të niveleve të ndryshme. Numri i diplomave që ende nuk u është dhënë përgjigje nga qendra NARIC është 485, prej tyre 64 janë nga Shqipëria, 209 janë nga Maqedonia e Veriut dhe 212 nga vendet tjera”.
“Ne kemi shqyrtuar edhe sfidat që përballet qendra NARIC. Disa prej problemeve janë edhe mungesa e një data-bazë online në bazë të së cilës do të barteshin të dhënat për numrin e aplikantëve dhe lëndëve që janë na proces që tashmë janë shqyrtuar”, tha ajo.