Marrëveshje të reja u arritën këtë të premte me Serbinë, por qeveria aktuale nuk ka njohuri për përmbajtjen e tyre.
Detaje se për çka nënshkruan zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në Mynih, nuk ka as kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Osmani ka shtuar se nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar mbi këto marrëveshje, raporton KTV.
Kjo marrëveshje, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është bërë pa dijeninë e tij.
Ai, përmes një statusi në rrjetet sociale, ka shkruar se nuk e ka autorizuar askënd për këtë marrëveshje.
“Këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga qeveria e re, as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër, as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë”, ka shkruar Kurti.
Në procesin e tranzicionit të qeverisjes ne jemi duke i analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet.
Tutje, Kurti ka shkruar se sado që këto lloj marrëveshjesh janë të nevojshme ato duhet të jenë transparente, duke shtuar se duhet të shikohen të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar nga qeverisja e kaluar.