Ka rezultuar negativ testi i analizave laboratorike rreth dyshimeve se një grua u prek nga virusi kinez koronavirusi, raporton Express nga burimet e saja.
U dyshua se një grua rreth të 30-ve, u kthye në Kosovë pas disa ditësh pushime në Itali. Ajo u paraqit mbrëmë në Klinikën Infektive.
Por në bazë të analizave të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rezultatet për këtë rast kanë dalë negative.
Sipas IKSHP-së, pacientja ka pasur ethe, djegie të syve, rrjedhje hunde dhe fytin e ndjeshëm. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin.
SARS-CoV-2 me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ, domethënë pacientja nuk është infektuar me virusin SARS-CoV-2. Laboratori mikrobiologjik/IKSHPK është pajisur me kite dhe reagensa për detektimin e 2019-nCoV”, deklaron IKSHP-ja.
Sipas tyre, ekipet po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në botë.
Ndërkohë, komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri.