Pal Lekaj provon të marrë meritat për nënshkrimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Ish-Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj ka provuar të marrë meritat për nënshkrimin e dy marrëveshjeve në Mynih ditën e sotme mes Kosovës dhe Serbisë.

Lekaj ka shprehur mbështetjen për dy zyrtarët ministrisë të emëruar nga ai, Xhemë Veseli dhe Ramë Qupeva që kanë qenë pjesë e delegacionit, që ka nënshkruar marrëveshjet për hekurudhën dhe autostradën mes dy shteteve.

“Shpreh mbështetjen time që delegacioni i emëruar nga unë arriti të finalizojë këtë marrëveshje”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se taksa ndaj Serbisë duhet të qëndrojë deri në njohje.

“Taksa ndaj Serbisë të qëndrojë deri në njohje, si i vetmi mjet kompromisi. Me taksën në fuqi Serbia është aty, duke dëshmuar edhe njëherë se dialogu po vazhdon me ndërmjetësimin e ShBA-ve përkundër deklarimeve të Aleksandër Vuçiqit se ne nuk bisedojmë me Kosovën përderisa ata nuk e largojnë taksën dhe ja ku është aty duke nënshkruar marrëveshjen për hekurudhat”, ka shkruar ish-ministri Lekaj. /GazetaExpress/