Sipas vlerësimit kushtetues të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese, dhe kjo përbën bazë për të nisur procedurat e shkarkimit të tij.
Zyra e Kryeministrit njofton se është gjetur një marrëveshje tërësisht sekrete e nënshkruar në vitin 2013 mes ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen.
Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.
Kryeministri Kurti bashkë me marrëveshjen e ka publikuar opinionin e lëshuar nga Zyra ligjore e kryeministrit, përfundim i së cilës është se Thaçi ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese.
“Duke marrë parasysh provat në dispozicion të Zyrës së Kryeministrit, si dhe dispozitat relevante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar ‘prima facie’ se presidenti Thaçi, gjatë kohës kur ishte kryeministër, ka kryer shkelje te rënda te Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përfundimin e opinionit të zyrës ligjore të kryeministrisë.