Policia e Kosovës konfirmon se i ka huazuar gaz lotsjellës Shqipërisë, e involvojnë Pacollin

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se do të padisë Alma Lamën, pasi kjo e fundit ka thënë se Pacolli ka dërguar gaz lotsjellës në Shqipëri në vend të 1 milionë eurove që kishte premtuar.

“Premtoi se do të jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por dërgoi 500 granata helmi, gazi lotsjellës”, kishte shkruar Lama në profilin e saj në ‘facebook’.

 Pacolli ka thënë se një deklaratë e tillë është shpifje dhe se për një gënjeshtër të tillë do të përballen në Gjykatë.

Reklama e sponzorizuar

“Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri! Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë”, kishte shkruar Pacolli si kundërpërgjigje për Alma Lamën.

Megjithatë Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare lidhur me këtë cështje kanë konfirmuar se është huazuar gaz lotsjellës për Policinë shqiptare gjatë vitit të kaluar dhe se një gjë e tillë është bërë me miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës që atë kohë udhëhiqej nga Ekrem Mustafa si dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme që e drejtonte Behgjet Pacolli.

“Policia e Kosovës, përmes këtij informacioni zyrtar, informon opinionin publik dhe mediat lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë që është realizuar në vitin e kaluar.Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve policore, si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dy ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Express.

Nga Policia kanë sqaruar se janë marrë sugjerimet pozitive nda zyrat ligjore të institucioneve relevante.

“Në aspektin ligjor paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-se dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës. Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës”, thuhet tutje në sqarim.

Policia tutje sqaron se “Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policorë, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës”.