Prej 20 prillit Kosova del nga blloku rregullator i Rrjetit Elektrik të Serbisë

Siç merr vesh gazeta serbe “Novosti”, Kosova prej 20 prillit më nuk do të jetë pjesë e bllokut rregullator të “Rrjetit Elektrik të Serbisë”, të cilin e përbëjnë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Dalja nga ky bllok energjetik dhe bashkimi me bllokun e Shqipërisë është nënshkruar më 3 dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë.

Nënshkrimin në këtë marrëveshje e kanë vënë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës KOSTT dhe Operatori i Sistemit Transmetues i Shqipërisë OST.

Reklama e sponzorizuar

“Se do të vije deri te kjo, e kanë ditur njerëzit në “Rrjetin Elektrik të Serbisë”, pretendon gazeta. “Së paku këtë e ka deklaruar Janez Kopaç, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit Energjetik. Duket se Serbia pak ka mundur të bëjë që këtë marrëveshje ta pengojë, pasi ajo ishte përgatitur një kohë të gjatë me ndihmën e Evropës”, vazhdon gazeta.

“Serbia tashmë me vite nuk llogaritë në energjinë e prodhuar në Kosovë. Përndryshe ata janë prodhues i vogëli i rrymës”, ngushëllohet Novosti, “termocentralet i kanë të vjetra, madje nuk dihet se në çfarë gjendje janë. E vërtetë është se potenciali i tyre është në thëngjill, por vendit tonë i mjafton prodhimi i energjisë edhe pa Kosovën”, përfundon gazeta./Insajderi/