Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, priti Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor Arne Sannes Bjornstad, të shoqëruar nga Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Jens Erik Grondahl.
Siç njofton kumtesa për media, në këtë takim u diskutua stabiliteti i Ballkanit, aspiratat Euro-Atlantike të Kosovës si pjesë e rajonit, sfidat e sigurisë nga akterët jo Euro-Atlantik, si dhe domosdoshmërinë e përfundimit të përfshirjes së tërë Ballkanit brenda hapësirës Euro-Atlantike.
“Ministri Reka e informoi zyrtarin e lartë diplomatik të Norvegjisë për prioritetet integruese të Kosovës në BE, përfshirë këtu liberalizimin e vizave, zbatimin e obligimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe përgatitjet për aplikim të Kosovës për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. Në këtë drejtim, Ministri Reka kërkoi mbështetje të Norvegjisë në bindjen e shteteve skeptike për përkrahjen e këtyre proceseve”, thuhet në njoftimin nga MPJ.
Aty theksohet se përfaqësuesi Special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor Arne Sannes Bjornstad e njoftoi Ministrin Reka për bashkëpunimin e ri të Norvegjisë për të mbështetur Presidencën kroate për vendet e Ballkanit Perëndimor me ekspertizë në përgatitjen e tyre më të shpejtë për rrugën e tyre integruese.
Së fundi, palët u dakorduan në vazhdimin e zbatimit të Projektit të Norvegjisë në Ministrinë e Integrimit Evropian, si dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve në zbatimin efektiv të saj.